Infektuar: 1083
Shëruar: 843
Vdekur: 30
Në fundjavë priten protesta në të gjithë Gjermaninë

Në fundjavë priten protesta në të gjithë Gjermaninë

Bota May 21, 2020 - 16:28

Mijëra njerëz pritet që të mblidhen në qytete në të gjithë Gjermaninë këtë fundjavë, për të protestuar kundër politikave të qeverisë në lidhje me koronavirusin, shkruan “The Guardian”, përcjell “zeri.info”.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, ka këshilluar njerëzit që të distancohen nga mbledhja e shumë personave në një vend, ku përfshihen ekstremistët radikalë, teoricienët e komplotit, anti-vaksinuesit dhe antisemitët, pasi agjentët vendas të inteligjencës paralajmëruan se grupet ekstremiste po shfrytëzojnë frikën nga virusi që të fitonin mbështetje.

“Nëse ekstremistët dhe antisemitët radikalë mundohen që përmes protestave të ndjellin urrejtje dhe përçarje, të gjithë pjesëmarrësit duhet të mbajnë një distancë prej më shumë se 1.5 metrave mes vete”, tha Maas në një intervistë të enjten.

“Ata që përhapin teori konspirative në të gjithë botën, pa mbajtur maska, pa mbajtur distancën minimale, pa asnjë shqetësim për të tjerët, po ngatërrojnë guximin me zemërimin e verbër dhe lirinë me egoizëm të pastër”, shtoi ai.

Në mesin e protestuesve janë ata të cilët akuzojnë qeverinë se ka shpikur virusin që të imponojë një diktaturë mbi ta. Ata janë të zemëruar me të gjithë, duke filluar nga kancelarja Angela Merkel dhe ministri i saj i Shëndetësisë, Jens Spahn, e deri te virologët dhe epidemiologët që i këshillojnë ata.