Ministri i Shëndetësisë në Zelandë të Re shkel rregullat, del me biçikletë në natyrë

Ministri i Shëndetësisë në Zelandë të Re shkel rregullat, del me biçikletë në natyrë

Bota April 03, 2020 - 11:02

Ministri i Shëndetësisë në Zelandë të Re i ka kërkuar falje kryeministres së vendit Jacinda Ardern, pasi është fotografuar duke vozitur biçikletën në kohën kur i tërë vendi është bllokuar nga frika e përhapjes së koronavirusit.

Ministri David Clark është munduar të arsyetohet duke thënë se ka qenë momenti i vetëm që ka qenë i lirë për të ushtruar, por pranoi se ka shkelur rregullat e qeverisë dhe për këtë ka kërkuar falje publike, transmeton “Telegrafi”. “Jam i vetëdijshëm për gabimin që e kam bërë dhe e kam kuptuar se tani nuk është koha për aktivitete të ndryshme sportive”, ka deklaruar Clark, të cilin një kalimtar rasti e fotografoi kur me furgon shkoi në një park jo larg shtëpisë së tij.

Në anën tjetër kryeministrja e vendit ka thënë se pret nga ministrat të respektojnë rregullat, të cilët paraprakisht u kanë kërkuar qytetarëve t’i zbatojnë. Megjithatë nuk dihet nëse Clark për shkak të këtij gabimi do ta humbë postin që e ka në qeveri, shkruan “The Guardian”.

Zelanda e Re është në nivelin e katër të bllokadës nga frika e epidemisë së koronavirusit, ndërsa qytetarëve u është thënë të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre.

Në këtë vend janë konfirmuar 71 raste të reja me COVID-19, numri i përgjithshëm i të prekurve ka shkuar në 868, derisa vetëm një person ka humbur jetën.