Vdes një 12 vjeçare nga koronavirusi në Belgjikë

Vdes një 12 vjeçare nga koronavirusi në Belgjikë

Bota March 31, 2020 - 17:34

Autoritetet e Belgjikës të martën thanë se një vazjë 12 vjeçare ka vdekur nga koronavirusi, duke shtuar se ajo ishte viktima më e re nga 700 vdekjet e regjistruara në vend.

Zëdhënësi i Qendrës së Krizave Kombëtare, Emmanuel Andre, tha se është një moment i vështirë emocionalisht që të jep deklaratën, sepse përfshin një fëmijë dhe se kjo ka shqetësuar edhe komunitetin e mjekëve dhe shkencëtarëve.

“Ne po mendojmë për familjen dhe miqtë e saj. Ishte një ngjarje që është shumë e rrallë, por një vdekje na shqetëson shumë”, shtoi Andre.

Asnjë detaj i mëtejshëm për vajzën nuk u dha gjatë konferencës për shtyp.

Sipas Andre, 98 njerëz kanë vdekur nga koronavirus gjatë 24 orëve të fundit, duke sjellë numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 705 në vendin e rreth 11.5 milionë njerëzve.

Belgjika ka konfirmuar 12,705 raste deri më tani.