Numri i viktimave nga koronavirusi në Spanjë tejkalon Kinën

Numri i viktimave nga koronavirusi në Spanjë tejkalon Kinën

Bota March 25, 2020 - 17:04

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë së Spanjës, ky vend ka tejkaluar Kinën sa i përket viktimave nga koronavirusi i ri (Covid-19), me gjithsej 3.434 raste të vdekjeve, transmeton Anadolu Agency .

Në 24 orët e fundit, 738 persona kanë humbur jetën ndërsa numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara është rritur për rreth 8.000, duke shkuar në 47.610.

Spanja ka njërën nga përqindjen më të lartë të të infektuarve në mesin e personelit mjekësor, me mbi 5.400 raste të konfirmuara.

Një mjek në Salamanca dje ndërroi jetë nga Covid-19 ndërsa personeli mjekësor në të gjithë vendin vazhdon të raportojnë për mungesa të pajisjeve mbrojtëse dhe mungesë të testeve.

Spanja ka kërkuar ndihmë urgjente në materiale nga NATO, duke kërkuar 1,5 milionë maska kirurgjikale, 150 mijë uniforma mbrojtëse dhe 450 mijë ventilatorë.

Qeveria dje njoftoi se do të përfshihen në përdorim edhe testet e shpejta që zbulojnë antitrupa.

Spitalet në Madrid raportojnë se dhomat e emergjencës janë të tejmbushura. Në spitalin Severo Ochoa, 313 pacientë iu drejtuan dhomave të emergjencës, duke bërë që ato të mbushej me pacientë me Covid-19 që prisnin të pranoheshin.

“Tre persona kanë vdekur në dhomën e emergjencës, nuk kemi vend", tha për Telemadrid mjeku, Jesus Medina.

Në një konferencë për media të mbajtur dje, ministri i Punëve të Brendshme të Spanjës tha se rreth 1.000 persona janë arrestuar dhe 102 mijë ankesa të policisë janë ngritur kundër njerëzve që shkelin rregullat e orës policore në vend. Ai theksoi se janë regjistruar disa raste të pacientëve të infektuar që ikin nga spitalet.