Në Gjermani do të lirohen rreth 1 mijë të burgosur shkaku i koronavirusit

Në Gjermani do të lirohen rreth 1 mijë të burgosur shkaku i koronavirusit

Bota March 25, 2020 - 15:26

Rajoni me popullsinë më të madhe në Gjermani, Nordrhein-Westfalen, ka planifikuar t’i lirojë nga burgu rreth një mijë të burgosur në mënyrë që të lirohen dhoma për të shërbyer si hapësira të izolimit në rast të përhapjes së koronavirusit.

Lajmin për këtë vendim e bëri të ditur ministri rajonal i drejtësisë, Peter Biesenbach, ndërsa do të përfitojnë vetëm të burgosurit të cilëve u ka mbetur edhe një kohë e shkurtër e dënimit pa e vuajtur.

Ministri njoftoi se nga ky vendim janë përjashtuar automatikisht personat e dënuar për sulme seksuale ose ata që qëndrojnë prapa grilave për ndonjë krim tjetër të dhunshëm, shkruan “Reuters”.

“Tash për tash i kemi vetëm disa vende të lira”, tha ministri Biesenbach para gazetarëve të mërkurën, duke shtuar se pret që edhe rajonet e tjera të Gjermanisë ta ndjekin shembullin e lirimit të të burgosurve.

Ndryshe, Irani më parë i ka liruar rreth 85 mijë të burgosur si përpjekje për ta luftuar përhapjen e koronavirusit, ndërsa në Itali ka pasur trazira dhe viktima nga përleshjet e policisë dhe rojeve me të burgosurit për shkak të frikës nga virusi.