Mbi 60 njerëz gjenden të vdekur në një kamion në Mozambik

Mbi 60 njerëz gjenden të vdekur në një kamion në Mozambik

Bota March 25, 2020 - 13:46

Gjashtëdhjetë e katër persona me prejardhje nga Etiopia janë gjetur të vdekur brenda një kamioni në pjesën veri-perëndimore të Mozambikut në Afrikë.

Viktimat u gjetën të martën në provincën Tete. Trupat e tyre ishin të rrethuar nga disa persona të tjerë, që kishin mbijetuar. Temperatura gjatë ditës në këtë rajon ka qenë rreth 34 gradë dhe besohet që vapa ka ndikuar në fundit fatal.

“Një kamion që po transportonte imigrantë ilegalë nga Malavi, që dyshohet të jenë nga Etiopia, është ndalur në urën Mussacan në Tete dhe 64 persona janë gjetur të vdekur”, tha një zyrtar, i cili kërkoi të mbetet anonim. “Shkaktari i vdekjes besohet të jetë asfiksia”, shtoi ai.

Lajmin e konfirmoi edhe Ministria e Jashtme e Etiopisë, e cila përmes Ambasadës në Afrikën Jugore ka marrë vesh se dhjetëra qytetarë të saj janë gjetur të vdekur brenda një kamioni, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Ndryshe, Mozambiku shihet si korridor për trafikimin e imigrantëve që synojnë të shkojnë në Afrikën Jugore. Shteti më i industrializuar i Afrikës është magnet për imigrantët e varfër jo vetëm për vendet fqinje, por edhe ato që ndodhen shumë më larg, siç është Etipoia.