McDonald’s akuzohet për zvogëlim të hamburgerëve

McDonald’s akuzohet për zvogëlim të hamburgerëve

Bota February 24, 2020 - 10:57

Kompania e njohur për prodhimin e ushqimit të shpejtë, McDonald’s, i ka mohuar akuzat nga një klient se i ka bërë më të vegjël hamburgerët me djathë, por ka thënë se thjesht e ka ndërruar formën e copave të bukës.

Një klient i pakënaqur e publikoi fotografinë e një hamburger që dukej i gjerë sa gishti i madh. Ai e krahasoi këtë hamburger me madhësinë e një biskote.

Gjiganti i ushqimit është akuzuar edhe më parë për zvogëlimin e hamburgerëve, por ka thënë se asnjëherë nuk e ka pakësuar sasinë e mishit.

“Pesha e përgjithshme e hamburgerëve tanë mbetet e pandryshuar. Copat e bukës e kanë peshën e njëjtë, me proporcione pak më ndryshe”, tha një zëdhënës i kompanisë.

“Nuk e kemi ndryshuar madhësinë e mishit që nga hapja e restorantit të parë të McDonald’s-it në Australi në vitin 1971”, thuhet më tej në deklaratë.

Akuza për zvogëlimin e produkteve ka pasur edhe për brendin e njohur të çipsave, Pringles. Një klient tha se perimetri i këtyre çipsave është tashmë pothuajse sa i një monedhe 50-centëshe.