OBSh-ja e shqetësuar për rastet e koronavirusit që s’kanë lidhje me Kinën

OBSh-ja e shqetësuar për rastet e koronavirusit që s’kanë lidhje me Kinën

Bota February 22, 2020 - 12:54

Organizata Botërore e Shëndetësisë është e shqetësuar me numrin e rasteve të koronavirusit të cilave nuk u është gjetur ndonjë lidhje me Kinën, tha drejtori i përgjithshëm i saj, Tedros Adhanom.

Në mesin e rasteve pa lidhje të qartë me Kinën përfshihen ato që nuk kanë histori udhëtimesh në Kinë ose kontakt me persona të infektuar, tha shefi i kësaj organizate përmes një konference.

Tedros tha se rreziku për vdekje nga koronavirusi është më i lartë te personat e moshuar, ndërsa janë regjistruar pak raste të infektimit të fëmijëve.

Numri i përgjithshëm i infektimeve në Kinë shkoi në 76 mijë e 288, ndërsa shifra e personave të vdekur në 2345 persona. Në epiqendrën e virusit, në provincën Hubei, u raportuan 106 vdekje të reja, 90 prej të cilave u regjistruan në qytetin Wuhan.

Vetëm në Korenë Jugore, të shtunën u konfirmuan 142 raste të reja të infektimeve, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 346 persona. Në një spital të këtij shteti, shifra e personave të infektuar brenda natës u rrit nga 16 në 108.

Gjendja u rëndua edhe në pjesën veriore të Italisë, ku u regjistrua viktima e parë nga koronavirusi. Përpos këtij rasti, në shtetin evropian u konfirmuan 17 raste të reja, shkruan Reuters”, transmeton Gazeta Express.