Separatistët vrasin dy ushtarë të Ukrainës në Donbas

Separatistët vrasin dy ushtarë të Ukrainës në Donbas

Bota January 27, 2020 - 10:33
Ushtria e Ukrainës njoftoi se dy pjesëtarë të saj janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur në rajonin lindor të vendit

Ushtria e Ukrainës njoftoi se dy pjesëtarë të saj janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur në rajonin lindor të vendit, Donbas, ku po vazhdon konflikti me separatistët e përkrahur nga Rusia.

Në deklaratën e publikuar të dielën, ushtria njoftoi se një ushtar u vra dhe një tjetër u plagos nga të shtënat, ndërsa në një rast tjetër, një ushtar u vra dhe një u plagos nga një pajisje e improvizuar shpërthyese.

Megjithatë, në këtë deklaratë nuk u publikuan emrat e ushtarëve të vrarë dhe të plagosur dhe nuk u njoftua për lokacionet ku ndodhën incidentet.

Njëmbëdhjetë ushtarë të Ukrainës janë vrarë vetëm gjatë janarit, dy më shumë se në dhjetor të vitit të kaluar, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.

Ushtria i raportoi 12 raste të shkeljes së armëpushimit nga separatistët vetëm të dielën, ndërsa të shtunën i raportoi 10 shkelje.

Më shumë se 13 mijë persona janë vrarë në konfliktin mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve, i cili ka filluar në prill të vitit 2014.