Afro 11 milionë njerëz, shikuan ditën e parë të gjykimit të Trumpit

Afro 11 milionë njerëz, shikuan ditën e parë të gjykimit të Trumpit

Bota January 23, 2020 - 12:47

Fillimi i gjykimit të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Senatin amerikan, më 21 janar, tërhoqi rreth 11 milionë shikues televizivë në Shtetet e Bashkuara.

Shifra u bë publike nga shërbimi i vlerësimeve Nielsen.

Vlerësimet u bazuan në shikueshmërinë për katër orë e gjysmë në gjashtë rrjete televizive, që e transmetuan drejtpërdrejt ditën e parë të gjykimit: ABC, CBS, NBC, MSNBC, CNN dhe Fox News.

Nielseni po ashtu njoftoi se dita e parë e hetimit të Trumpit në Dhomën e Përfaqësuesve, në muajin nëntor, është ndjekur nga rreth 13.8 milionë shikues.

Trumpi është presidenti i tretë në historinë e Shteteve të Bashkuara që përballet me procedura të shkarkimit.

I pari ka qenë Andrew Johnsoni, më 1868 dhe pas tij Bill Clintoni, më 1998, por të dy ata janë liruar.

Trumpi, republikan, është akuzuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, e udhëhequr nga demokratët, për abuzim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Akuzat kanë dalë nga dyshimet se Trumpi i kishte bërë presion Ukrainës për të hetuar rivalin e tij politik, Joe Biden.

Trumpi e mohon çdo keqbërje, ndërsa hetimet kundër tij i cilëson si “gjueti shtrigash”.