Infektuar: 15472
Shëruar: 13278
Vdekur: 622
Dhjetë civilë afganë vriten nga droni i ushtrisë amerikane

Dhjetë civilë afganë vriten nga droni i ushtrisë amerikane

Bota January 22, 2020 - 15:11

Zyrtarët afganë kanë thënë se së paku dhjetë civilë janë vrarë nga një sulm me dron, të kryer nga forcat amerikane në provincën Herat. Në mesin e të vrarëve ishin tre fëmijë dhe tri gra.

Një zyrtar afgan tha se sulmi ndodhi para dy javësh në distriktin Shindand. Në këtë sulm mbetën të plagosur pesë civilë të tjerë, përfshirë dy fëmijë. Lajmin e bëri të ditur anëtari i Komisionit Afgan për të Drejtat e Njeriut.

Ushtria afgane dhe forcat amerikane nuk i kanë komentuar këto raportime. Megjithatë, anëtari i Këshillit Lokal, Wakil Ahmad Karokhi, tha se përmes këtij sulmi u vranë edhe 16 militantë nga një grup i ndarë i talibanëve, përfshirë komandantin e tyre, Mullah Nangyalia.

Ky zyrtar tha se sulmi ishte një gabim i madh, sepse grupi i sulmuar ofronte ndihmë në luftën kundër talibanëve.

Ndryshe, talibanët e kontrollojnë pothuajse gjysmën e territorit të Afganistanit dhe po vazhdojnë të kryejnë sulme kundër forcave afgane dhe amerikane, ndonëse në anën tjetër janë duke zhvilluar bisedime për paqe, shkruan “Free Europe”, transmeton Gazeta Express.