Solidaritet i madh me deputetin gjerman me origjinë afrikane

Solidaritet i madh me deputetin gjerman me origjinë afrikane

Bota January 18, 2020 - 12:09

Karamba Diaby është deputet socialdemokrat në Parlamentin e Gjermanisë. Këtë javë zyra e tij u sulmua me gjasë me armë zjarri.

Gjatë debateve në Bundestagun gjerman gjatë kësaj jave kancelarja Angela Merkel në mënyrë demonstrative u solidarizua me deputetin Karamba Diaby nga radhët e socialdemokratëve. Dhe Merkel nuk ishte deputetja e vetme që shprehu solidaritet pas njoftimeve se zyra e Diaby në qytetin Halle an der Saale u sulmua me gjasë armë zjarri.

Diaby është ndër politikanët e paktë me ngjyrë në Gjermani. Më 2013 ai bashkë me një politikan të partisë konservatore CDU ishte i pari deputet i parlamentit gjerman me origjinë afrikane. Diaby u lind më 1961 në Senegal. Ai braktisi atdheun në vitet ’80 për të studiuar në Gjermaninë e atëhershme lindore. Më vonë Diaby doktoroi në shkencat kimike dhe gjeoekologjike dhe bashkë me një agronome nga landi i Sachsenit krijoi familje në Halle, shkruan «Frankfurter Allgemeine Zeitung». Diaby njoftoi të enjten se ka marrë mijëra mesazhe solidariteti, kuraje dhe përkrahjeje. Ai tha se nga këto mesazhe arrin në përfundimin se një shumicë e madhe e gjermanëve angazhohet për një shoqëri të hapur.

«Po jetojmë në epokën e mllefit», tha Diaby.

Ai u bëri thirrje të gjithëve që në mënyrë aktive të mbrojnë demokracinë. Bashkëpunëtorët e Diaby numëruan pesë vrima plumbi në xhamin e zyrës së deputetit. Zyra e Diaby ishte sulmuar edhe në vitin 2015. Atëbotë ajo u godit me gur. Sulme të tjera nuk ka pasur, por Diaby tregoi se rregullisht pranon emaila urrejtës, letra anonime dhe përballet me terror telefonik. Pas sulmit të fundit shumë politikanë dhe media gjermane janë solidarizuar me deputetin me origjinë afrikane.