Çfarë po ndodh me motin? Në Arabinë Saudite bie borë, në Londër çelin trëndafilat

Çfarë po ndodh me motin? Në Arabinë Saudite bie borë, në Londër çelin trëndafilat

Bota January 14, 2020 - 21:28

Malet Madian, në veriperëndim të Arabisë Saudite janë zbardhur nga dëbora, ndërsa në Zvicër këtë fundjavë nuk kishte asnjë flokë bore, ndaj për garat e kupës së botës në ski, u desh të përdorej borë artificiale.

Ajo çfarë po ndodh në territorin e saudit nuk është një fenomen i jashtëzakonshëm, por mbetet gjithsesi mjaft i rrallë.

Dhe kur kjo ndodh, kthehet në një festë për të gjithë dhe në një magnet të vërtetë për turistët, që e shohin me mjaft kërshëri.

Majat e këtyre maleve janë të mbuluara më borë në dimër, megjithatë shumë rrallë ndodh që ajo të zbresë deri në këmbët e tyre.

Një front i ftohtë që i ka bërë temperaturat të ulen ndjeshëm ka goditur kohët e fundit gadishullin ballkanik, Turqinë e Iranin.

Ai ka mbërritur deri në zonat malore të Libanit dhe në gadishullin arabik, duke sjellë me vete stuhi e reshje dëbore, me rezultate befasuese, të cilat e kanë bërë në disa raste të jetë më ftohtë sesa në luginat alpine.

Por bora në shkretëtirë është ajo që bën më shumë efekt.

Ekspertët thonë se anomalia e këtij fillimviti i detyrohet një vorbulle të fortë polare, e cila qendrën e ka pasur në Polin e Veriut, vetëm se kur qarkullon, ka lëvizje antiorare.

Për rrjedhojë në Europën perëndimore, vendet nga Spanja deri në Britaninë e Madhe po shijojnë një mot të butë, madje në Londër, siç thotë Corriere della Sera, kanë nisur të çelin trëndafilat e parë.