Kishte hyrë në grevë urie, vdes amerikani i burgosur në Egjipt

Kishte hyrë në grevë urie, vdes amerikani i burgosur në Egjipt

Bota January 14, 2020 - 15:59

Shtetet e Bashkuara konfirmuan se amerikani me prejardhje egjiptiane, Moustafa Kassem, ka vdekur në një burg të Egjiptit, ku po mbahej që nga viti 2013.

Prokurori i shtetit në Egjipt tha se Kassem vdiq në një spital të Kajros, duke shtuar se është dhënë urdhër për kryerjen e autopsisë për ta zbuluar shkaktarin e vdekjes.

Amerikani kishte hyrë në grevë dhe përdorte vetëm lëngje në shenjë proteste. Në katër ditët e fundit të jetës, ai e kishte ndërprerë edhe pirjen e lëngjeve.

“Jam thellësisht i pikëlluar për vdekjen e qytetarit amerikan, Moustafa Kassem, i cili ka qenë i burgosur në Egjipt”, tha David Schenker, ndihmës-sekretar për çështjet e Lindjes së Afërt.

Kassem ishte dënuar me burgim në shtator të vitit 2018 për shkak të një proteste në vitin 2013, kur ishin vrarë qindra protestues nga forcat e sigurisë.

Aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë thënë se presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi e ka udhëhequr një fushatë për shtypjen e lirive dhe të drejtave të njeriut që prej kohës kur kishte ardhur në pushtet në vitin 2014.

Në anën tjetër, qeveria egjiptiane thotë se masat e forcave të sigurisë janë të nevojshme për ruajtjen e stabilitetit të vendit dhe luftimin e kërcënimeve që vijnë nga militantët islamikë, shkruan “France24”, transmeton Gazeta Express.