Demokratët paraqesin dy nene të hetimeve kundër Trump-it

Demokratët paraqesin dy nene të hetimeve kundër Trump-it

Bota December 10, 2019 - 14:35
detaje

Kongresistët e Dhomës së Përfaqësuesve nga radhët e Partisë Demokratike pritet që sot t’i paraqesin dy artikuj në kuadër të hetimeve kundër presidentit amerikan, Donald Trump. Ata besohet se do ta akuzojnë kreun e Shtëpisë së Bardhë për keqpërdorim të pushtetit dhe pengim të punës së Kongresit.

Ky zhvillim vjen pas seancës dëgjimore përfundimtare që u mbajt të hënën në Komisionin për Drejtësi, ku të dyja palët i kundërshtuan pretendimet e njëra-tjetrës në një atmosferë mjaft të tensionuar.

Presidenti Trump e filloi ditën duke e mbrojtur veten nga procesi i hetimeve përmes një postimi në Twitter, ku tha se vazhdimi i këtij procesi do të ishte qartazi çmenduri politike.

Demokratët po mundohen të dëshmojnë para organeve legjislative dhe atyre të drejtësisë se presidenti Trump e ka shkelur ligjin dhe e ka rrezikuar sigurinë kombëtare duke ia kushtëzuar Ukrainës ndihmat ushtarake prej 400 milionë dollarësh me nisjen e hetimeve kundër rivalit të tij politik, Joe Biden, dhe të birit të tij, i cili më parë është marrë me biznes në shtetin e Evropës Lindore.

Ndryshe, presidenti Trump më parë e ka cilësuar veten si udhëheqësin më të mirë të të gjitha kohërave të Shteteve të Bashkuara dhe ka thënë se nuk ka bërë asgjë të gabuar, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.