I vihet flaka gruas që po shkonte në seancën gjyqësore të përdhunimit të saj

I vihet flaka gruas që po shkonte në seancën gjyqësore të përdhunimit të saj

Bota December 05, 2019 - 13:18
Detajet

Një vajzë 23 vjeçare, e cila dyshohet se ishte viktimë e përdhunimit, po lufton për jetën e saj pasi iu vu flaka përderisa po shkonte në gjyq në veri të Indisë.

Ajo ishte rrugës duke shkuar në seancën dëgjimore për rastin që kishte ngritur padi kundër dy burrave në mars, në Uttar Pradesh.

Ajo është në gjendje kritike në spital, ku po kurohet për djegie të rënda.

Pesë burra përfshirë dy të dyshuarit për përdhunimin e saj janë arrestuar nën dyshimin se e vunë zjarrin, thotë policia.

Viktima ishte duke shkuar në një stacion treni kur një grup burrash e sulmuan dhe e zvarritën në një fushë aty pranë, ku e vunë në zjarr, sipas raporteve të mediave lokale.

Incidenti ndodhi në rajonin Unnao, i cili së fundmi ishte në lajme për një rast tjetër të përdhunimit.

Policia nisi një hetim për vrasje kundër një ligjvënësi të partisë në pushtet në korrik pasi një grua që e akuzoi atë për përdhunim u plagos rëndë në një aksident me makinë. Dy prej hallave të saj u vranë dhe avokati i saj u plagos.

Përdhunimi dhe dhuna seksuale ndaj grave kanë qenë në fokus në Indi që nga dhjetori i vitit 2012, pas përdhunimit në grup dhe vrasjes së një vajze në një autobus në kryeqytetin Delhi.

Por, nuk ka asnjë shenjë që krimet kundër grave janë duke u zvogëluar.

Sipas shifrave të fundit qeveritare, policia regjistroi 33.658 raste të dhunimeve në Indi në vitin 2017 – kjo është një mesatare prej 92 përdhunimesh çdo ditë.