Xhelati i El Chapo-s ekstradohet në SHBA

Xhelati i El Chapo-s ekstradohet në SHBA

Bota November 19, 2019 - 15:24
Lexoni detajet!

Një prej ish-xhelatëve të El Chapo-s është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku akuzohet për rrëmbimin dhe vrasjen e një trafikanti droge në Teksas dhe dërgimin e trupit të tij në Meksikë.

Autoritetet meksikane dorëzuan të kolegët amerikanë Luis Arellano-Romero-n pasi ky i fundit humbi betejën kundër ekstradimit. 44-vjeçari doli brenda pak orësh para gjykatësit në El Paso, Teksas, ku u njoh me 14 akuza të ngritura ndaj tij, mes tyre vrasje, rrëmbim personi, pastrim parash, armëmbajtje pa leje, trafikim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike.

Lexo edhe:
Masakron gra dhe fëmijë, pasardhësi i El Chapo-s nis luftën më të përgjakshme mes karteleve

Nën urdhrat e Joaquin Guzman dhe Ismael Zambada, dy themeluesve të Kartelit të Sinaloas, Arellano-Romero kishte rol kryesor në vrasjen e shtetasit amerikan Sergio Saucedo në 3 shtator 2009, pasi ky i fundit nuk kishte arritur të ruante nga policia një dërgesë me 300 kg marijuanë. Trupi i tij u gjet i pajetë në Juarez, Meksikë, pesë ditë më vonë.

Nëse shpallet fajtor për shkelje të aktit RICO (Racketeer Influenced and Corrupt Organizations – Pjesëmarrje në Organizata të Korruptuara dhe Shantazhiste), Arellano-Romero mund të dënohet me burgim të përjetshëm. /A2news