Shtohen thirrjet për dialog në Gjeorgji teksa mbahen protesta kundër qeverisë

Shtohen thirrjet për dialog në Gjeorgji teksa mbahen protesta kundër qeverisë

Bota November 18, 2019 - 13:10
Lexoni detajet!

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian u kanë bërë thirrje, Qeverisë së Gjeorgjisë, partive politike dhe shoqërisë civile që të përfshihen në “dialog të qetë dhe të respektueshëm”, pasi mijëra persona kanë protestuar në Tbilisi, me kërkesën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Protestuesit kundër-qeverisë janë mbledhur jashtë parlamentit më 17 nëntor, tri ditë pasi parlamenti ka refuzuar ndryshimet kushtetuese për kalim në një sistem zgjedhor proporcional.

Ndryshimi i sistemit, nga i përzier në proporcional nga viti 2020, ka qenë një nga kërkesat kryesore të protestuesve që kanë marshuar për javë të tëra edhe në muajt qershor dhe korrik.

Legjislatura aktuale përfaqësohet në mënyrë proporcionale në gjysmën e ulësve.

Partitë opozitare thonë se sistemi aktual zgjedhor favorizon në mënyrë të padrejtë, partinë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane.

Në një deklaratë të përbashkët, delegacioni i BE-së në Gjeorgji dhe Ambasada Amerikane, kanë thënë se “kanë njohuri për zhgënjimin e thellë të një segmenti të shoqërisë gjeorgjiane pas dështimit të parlamentit për të miratuar ndryshimet kushtetuese”.

Ndalja e tranzicionit për zgjedhje proporcionale “ka rritur mosbesimin dhe ka shtuar tensionet në mes të partisë në pushtet, partive tjera dhe shoqërisë civile”, është thënë në deklaratë.

Vendimin për mosmiratim të ndryshimeve e ka kritikuar dhe Asambleja Parlamentare dhe Këshilli i Evropës.

Partia, Ëndrra Gjeorgjine, duke përfshirë themeluesin e saj miliarder, njëherësh liderin, Bidzina Ivanishvili, kanë përkrahur reformat, mirëpo ato sërish nuk janë miratuar.

Kjo situatë ka shtyrë disa ligjvënës, duke përfshirë zëvendës-kryeparlamentarin, Tamar Khangoshvili, të japë dorëheqje nga partia. /Rel