Shtatë të vdekur nga një shpërthim në Kabul

Shtatë të vdekur nga një shpërthim në Kabul

Bota November 13, 2019 - 10:38
detajet

Të paktën shtatë persona kanë vdekur dhe shtatë të tjerë janë plagosur të mërkurën nga shpërthimi i një veture bombë afër ndërtesës së Ministrisë së Brendshme në Kabul të Afganistanit.

Shpërthimi ndodhi në lagjen Qasaba të kryeqytetit afgan, në veri të aeroportit të qytetit, bëri të ditur zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Nasrat Rahimi.

Asnjë individ apo grup nuk e ka marrë ende përgjegjësinë për këtë sulm të përgjakshëm, ndonëse talibanët dhe militantët e Shtetit Islamik janë mjaft aktivë në këtë rajon.

Rahimi tha se të gjitha viktimat janë civile dhe shtoi se numri i personave të vdekur mund të rritet. “Ky është njoftim fillestar, më vonë ju sjellim më shumë hollësi”, tha ky zyrtar.

Shpërthimi ndodhi vetëm një ditë pasi qeveria afgane i liroi tre të burgosur talibanë në shkëmbim të dy profesorëve të Universitetit Amerikan të Afganistanit, të cilët ishin rrëmbyer nga militantët në vitin 2016.

Disa analistë besuan se ky shkëmbim i të burgosurve do të ndikonte në zvogëlimin e dhunës në Afganistan dhe do ta hapnin rrugën për negociata të paqes, por sulmi i sotëm i vuri seriozisht në dyshim këto parashikime, shkruan “Free Europe”.