Australia përgatitet për zjarret më të rënda në histori

Australia përgatitet për zjarret më të rënda në histori

Bota November 11, 2019 - 12:13
detajet

Komandantët e zjarrfikësve në Australi kanë paralajmëruar se vendi do ta përjetojë javën më të rëndë të zjarreve që është parë ndonjëherë. Rajoni New South Wales, i cili është më i banuari në Australi, të martën pritet të përballet me zjarre shkatërruese.

Ky rajon tash për tash është përfshirë nga 60 zjarre aktive. Sipas autoriteteve, 40 prej tyre janë jashtë kontrollit. Përpos këtyre zjarreve, 50 vatra të tjera të zjarrit janë aktive në rajonin tjetër, Queensland. Zjarre ka edhe në pjesën perëndimore dhe jugore të Australisë.

Tashmë tre persona kanë vdekur dhe më shumë se 150 shtëpi janë shkatërruar nga zjarret në New South Wales. Moti i thatë, i përcjellë me temperature prej mbi 30 gradësh dhe erëra të forta, pritet të shkaktojë zjarre të rrezikshme, të cilat po luftohen edhe nga 1300 zjarrfikës vullnetarë.

Të premten e kaluar, një javë para sezonit tradicional të zjarreve, 99 zjarre ishin jashtë kontrollit në këtë rajon. 17 prej këtyre zjarreve po vlerësohen si të rrezikshme për jetën e njerëzve.

Vetëm këtë vit, më shumë se 850 mijë hektarë toke janë djegur nga zjarret vetëm në rajonin New South Wales.

Debati për zjarret e hershme dhe të ashpra pranë bregdetit lindor ka marrë kah politik në Australi. Politikanët vazhdimisht po përpiqen ta shmangin pyetjen nëse ndryshimet klimatike po kontribuojnë në shpërthimin dhe përhapjen e zjarreve në natyrë, shkruan “The Guardian”