Vazhdojnë trazirat në Kili, zgjatet gjendja emergjente

Vazhdojnë trazirat në Kili, zgjatet gjendja emergjente

Bota October 21, 2019 - 10:57
Detajet

Protestat e dhunshme kanë vazhduar edhe gjatë mbrëmjes së kaluar në Kili, pavarësisht vendimit të presidentit për ta anuluar rritjen e çmimit të transportit hekurudhor, e cila ka qenë arsye për nisjen e kryengritjes.

Zyrtarët në kryeqytetin e Kilit, Santiago, thanë se tre persona kanë vdekur nga zjarri në dy dyqane në orët e hershme të ditës së diel. Pesë njerëz të tjerë u gjetën më vonë të vdekur në dyshemenë e një depoje.

Së paku dy kompani ajrore i kanë anuluar fluturimet drejt kryeqytetit, duke bërë që 1400 udhëtarë të mbesin pa udhëtuar të dielën dhe të hënën.

“Jemi në luftë me një armik të fuqishëm dhe të pamëshirshëm, i cili nuk respekton askënd e asgjë dhe që është i gatshëm t’i përdorë dhunën e krimin pa ndonjë kufi”, tha presidenti Sebastian Pinera të dielën gjatë një fjalimi të mbajtur në selinë qendrore të ushtrisë.

Pinera, i cili ka shërbyer në këtë post edhe në periudhën 2010-2014, para se të bëhej president përsëri në mars të vitit 2018, është duke u përballur me krizën më të rëndë të mandatit të dytë.

Autoritetet i kanë angazhuar mbi 10 mijë policë e ushtarë në rrugët e kryeqytetit, ndërsa gjendja emergjente dhe ora policore vazhdojnë të mbesin në fuqi në gjashtë qytete. Policia ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.