Ushtarët amerikanë të zhgënjyer me Trump-in: I tradhtuam kurdët, s’na beson kush më

Ushtarët amerikanë të zhgënjyer me Trump-in: I tradhtuam kurdët, s’na beson kush më

Bota October 15, 2019 - 22:32
Detajet

Një pjesë e konsiderueshme e personelit ushtarak amerikan dhe zyrtarëve të mbrojtjes kanë shprehur zemërim të thellë ndaj vendimit të presidentit Trump për të mos u ofruar mbështetje kurdëve, të cilët po përballen me ofensivën turke.

Disa zyrtarë të mbrojtjes dhe pjesëtarë të personelit ushtarak, përfshirë ata që janë të angazhuar në Siri, janë shprehur të zhgënjyer me mënyrën se si administrata Trump është marrë me gjendjen e sigurisë në pjesën veriore të Sirisë.,

Një zyrtar tjetër i lartë i mbrojtjes i tha televizionit CNN se dështimi i presidentit amerikan për ta ndaluar sulmin e ushtrisë turke ndaj kurdëve nënkupton që ai ia ka dhënë Turqisë dritën e gjelbër, pavarësisht qëndrimit zyrtar të presidencës se e ka kundërshtuar vazhdimisht këtë operacion.

“Forcat Demokratike Siriane, të udhëhequra nga kurdët, janë duke luftuar me një forcë që synon ta eliminojë popullin e tyre për shkak se ne ua dhamë dritën e gjelbër”, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes duke iu referuar ofensivës turke.

Një zyrtar tjetër ushtarak i Shteteve të Bashkuara, i cili është i angazhuar në operacionet në Siri, tha se ai është ndier i turpëruar me veprimet e shtetit të vet në raport me forcat kurde, duke shtuar se ShBA-ja ka dështuar ta mbrojë aleatin e saj të dikurshëm.

Vendimi i qeverisë amerikane për t’ua kthyer shpinën kurdëve ka ngjallur shqetësime për humbjen e besimit të partnerëve të mundshëm, të cilët nuk do t’u besojnë më Shteteve të Bashkuara. Një zyrtar i mbrojtjes tha: “Si mund të presim që dikush të bashkëpunojë me ne tash”, shkruan “CNN”

Një zyrtar amerikan tha se është e ditur që disa zyrtarë të lartë ushtarakë janë shumë të zemëruar me trajtimin që ua ka bërë kurdëve Shtëpia e Bardhë, duke e pasur parasysh ndihmën që ata ua kanë dhënë Shteteve të Bashkuara gjatë luftës kundër ISIS-it.