U burgos 19 vjet padrejtësisht, australiani dëmshpërblehet me 7 milionë dollarë

U burgos 19 vjet padrejtësisht, australiani dëmshpërblehet me 7 milionë dollarë

Bota October 14, 2019 - 10:15
Lexoni detajet

Një burrë, i cili ishte dënuar gabimisht me 19 vjet burgim për vrasjen e një zyrtari të lartë policor në Australi, është dëmshpërblyer nga shteti me shtatë milionë dollarë australianë.

David Eastman ishte dënuar fillimisht me burgim të përjetshëm në vitin 1995 për vrasjen e policit Colin Winchester, i cili kishte pozitë të lartë në Departamentin e Policisë Federale.

Më vonë, ai ishte liruar pasi një gjykatë kishte vlerësuar se ky person i është nënshtruar një gjykimi të padrejtë. Vitin e kaluar, gjykata përsëri e liroi nga faji në procesin e dytë gjyqësor për këtë çështje.

Sidoqoftë, vrasja e policit nuk është zbardhur prej asaj kohe. Ky rast i kishte goditur rëndë sistemin ligjor dhe politik të Australisë dhe e kishte nxitur një ndër hetimet më të gjera në vend.

I dënuari pa të drejtë, tashmë 74 vjeç, e kishte refuzuar një ofertë të mëparshme për dëmshpërblim prej 3.8 milionë dollarësh australianë.

Avokatët e tij kishin thënë në seancat e Gjykatës Supreme se klienti i tyre është dëmtuar rëndë nga dënimi i padrejtë, sepse i është mohuar mundësia për të krijuar familje dhe për të ndërtuar karrierë. Gjatë kohës sa mbahej në burg, atij i kishin vdekur nëna dhe dy të afërmit e tij, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.