A.Saudite i bashkohet patrullimeve në ujërat e Gjirit Persik

A.Saudite i bashkohet patrullimeve në ujërat e Gjirit Persik

Bota September 18, 2019 - 11:56
Detajet

Arabia Saudite tha më 18 shtator se i është bashkuar koalicionit të udhëhequr nga SHBA-ja, për të patrulluar në ujërat e Gjirit Persik.

Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga aleatët e saj, të marrin pjesë në një mision detar, për të mbrojtur transportin në Ngushticën e Hormuzit, megjithëse vendet evropiane po hezitojnë.

Vendimi vjen pas rritjes së tensioneve nga sulmet që shënjestruan industrinë e naftës saudite.

Uashingtoni ka akuzuar Iranin se qëndron pas sulmit, ndërsa Arabia Saudite tashmë ka thënë se gjatë sulmit është përdorur "armë iraniane".

Irani mohon përfshirjen në sulmin ajror, përgjegjësinë e të cilit e morën rebelët Huthi në Jemen, që gëzojnë mbështetjen e Iranit.

Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka udhëtuar në Arabinë Saudite për të diskutuar me aleatët më të fuqishëm në rajon, lidhur me zhvillimet e fundit.

Departamenti i Shtetit tha se sekretari Pompeo do të takohet me Princin e Kurorës Saudite, Muhamed bin Salman, për të "diskutuar" sulmin e fundit mbi objektet e naftës saudite, dhe për të koordinuar përpjekjet për të luftuar agresionin iranian në rajon.