Amerikani vret tre të rinj që i kishin hyrë në oborr për të vjedhur

Amerikani vret tre të rinj që i kishin hyrë në oborr për të vjedhur

Bota September 18, 2019 - 09:58
Detajet

Një burrë amerikan në Georgia të Shteteve të Bashkuara i ka vrarë tre adoleshentë, të cilët i kishin hyrë të maskuar në oborrin e shtëpisë me qëllim për të vjedhur.

Të rinjtë e maskuar, njëri 15 vjeç ndërsa dy të tjerë 16 vjeç, kishin hyrë në oborrin e këtij burri në orën katër të mëngjesit të ditës së hënë dhe ishin përpjekur të vjedhin gjëra të ndryshme në shtëpinë e tij.

Policia amerikane tha se njëri nga adoleshentët e kishte nxjerrë armën dhe kishte filluar të qëllonte në drejtim të banorëve të shtëpisë, ndërsa pronari i shtëpisë më pas është kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë.

“Viktimat e grabitjes në tentativë nuk kanë pësuar lëndime, por tre personat e dyshuar kanë marrë plagë të rënda gjatë të shtënave dhe kanë vdekur, njëri në vendin e ngjarjes, ndërsa dy të tjerë më vonë në spital”, thuhet në deklaratën e policisë.

Një fqinj tha se e ka dëgjuar një person duke kërkuar ndihmë, ndërsa dikush tjetër kishte shkuar në vendin e ngjarjes pasi i kishte dëgjuar pesë të shtëna armësh.

Policia nuk i ka publikuar emrat e personave të vrarë, por tha se ata nuk jetonin në të njëjtën lagje, shkruan “CNN”. /Express