Komisionari i ri i BE-së, nën hetime për “Krim të organizuar”

Komisionari i ri i BE-së, nën hetime për “Krim të organizuar”

Bota September 17, 2019 - 11:59
Lexoni më shumë detaje
Image

I nominuari i Belgjikës për komisionar drejtësie në BE ishte pjesë e një skeme korruptimi, që përfshin Kongon dhe Libinë, sipas një ish-spiuni belg

I nominuari, ministri i Jashtëm belg Didier Reynders, menjëherë mohoi akuzat, detaje të të cilave janë parë nga “EUobserver”, por prokurorët belgë po shqyrtojnë çështjen ndërsa ai përgatitet të marrë postin e tij në BE.

Reyndersi dhe një bashkëpunëtor i vjetër i tij i quajtur Jean-Claude Fontinoy ishin pjesë e një “shoqate të vërtetë kriminale” të përfshirë në marrjen e “ryshfeteve” dhe në “pastrimin e parave”, i tha policisë federale belge ish-oficeri belg i zbulimit.

Fontinoy është një ekspert pranë kabinetit të Reynders dhe është presidenti i firmës shtetërore hekurudhore belge SNCB, por ishte “në realitet njeriu i [Reyndersit] tij i djathtë” në pretendimet e “operacioneve të korrupsionit”, tha ish-oficeri.

Skemat e pretenduara kishin të bëjnë me pagesa haraçi në ndërtimin e ambasadës së Belgjikës në Kinshasa në vitin 2017 dhe pagesa nga një kandidat në zgjedhjet kongoleze në këmbim të mbështetjes diplomatike, theksohet në dëshminë prej gjashtë faqesh të ish-oficerit dhënë policisë, e parë nga “EUobserver”-i, transmeton zeri.info.

Skemat e supozuara gjithashtu përfshinin shitje klandestine të armëve në Libi dhe dhënie të kontratave shtetërore në Belgjikë, për shembull, për një seli të re të policisë në Bruksel, shtoi dëshmia.

Akuzat u ngritën nga Nicolas Ullens De Schootens, një ish-oficer në njësinë ekonomike të shërbimit të inteligjencës vendase të Belgjikës, VSSE.

54-vjeçari aristokrat belg, i cili kishte punuar në VSSE për 11 vjet, dha dorëheqjen marsin e kaluar, më pas hyri në ndërtesën e policisë federale në Rue Royale në Bruksel më 2 prill të këtij viti për të dëshmuar.

Ai përmendi intervista me informatorët, paraqiti dokumente mbështetëse dhe iu referua regjistrimeve telefonike, duke përmendur edhe një firmë “offshore” në Luksemburg, e cila dyshohet se merrte ryshfete dhe tha se pasuritë e patundshme belge dhe shitjet e artit u përdorën gjithashtu për të fshehur fonde. Zyra e prokurorit publik në Bruksel konfirmoi gjithashtu se ka një hetim penal në vazhdim e sipër mbi dëshminë, duke u përqëndruar në çështjen e ambasadës belge në Kinshasa.

“Një njeri me qëllim të keq”

Vetë Reynders u tha medieve belge se ai kishte udhëzuar avokatin e tij që “të mohojë akuzat”. Të gjitha ato po “qarkulloheshin nga një person”, vuri në dukje ai, duke iu referuar ish-oficerit të VSSE-së, i cili nuk ishte i disponueshëm për të komentuar.

“I njëjti njeri dashakeq” kishte provuar më parë të njollosë ministrin belg, tha gjithashtu për shtyp zëdhënësi i Reynders, John Hendrickx.

Reynders, një politikan belg liberal, i cili është gjithashtu zëvendëskryeministër dhe ministër i Mbrojtjes, shtoi se nuk është e këndshme të shënjestrohesh dhe shpreson që gjithçka do të “sqarohet sa më shpejt të jetë e mundur”. Por gazeta belge “De Tijd” publikoi historinë në një moment të ndjeshëm.

Presidentja e re e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, propozoi javën e kaluar që Reynders duhet të jetë një komisionar i BE-së përgjegjës për drejtësinë dhe ai do të përballet me një ankth për përshtatshmërinë e tij nga eurodeputetët në fillim të tetorit.

Komisioni nuk pranoi të komentojë zbulimet, duke përmendur supozimin e pafajësisë dhe faktin që prokurori belg deri më tani kishte hapur vetëm një hetim paraprak, përcjell zeri.info.

Hendrickx, zëdhënësi i Reynders, nuk u përgjigj kur u kontaktua nga EUobserveri.

Por nëse çështja nuk pushohet me ngulm, ajo mund të trimërojë qeveritë populiste në Hungari dhe në Poloni, të cilët janë nën procedurat e sanksioneve të BE-së për abuzim të sundimit të ligjit dhe që prej vitesh janë ankuar për hipokrizinë dhe standardet e dyfishta në establishmentin evropian. Akuzat gjithashtu shtruan pyetje më të gjera mbi sigurinë e NATO-s dhe të BE-së. Reynders merr pjesë në takimet e NATO-s dhe të VSSE-së, Shërbimi i Inteligjencës belge është përgjegjës për mbrojtjen e institucioneve të NATO-s dhe të BE-së në vend nga spiunazhi i huaj.

Sundimi i ligjit belg

Fakti i thjeshtë që prokurori i Brukselit filloi një hetim nuk do të thotë se beson që çështja ka substancë, sepse sipas ligjit të Belgjikës autoritetet janë të detyruara të shqyrtojnë ankesat e policisë. Është e paqartë kur mund të vendoset nëse do të ndiqet çështja më tej. Por makineria e drejtësisë belge nganjëherë lëviz ngadalë. Corps interfederal de l'Inspection des finances (Inspfin), Zyra Kombëtare e Auditimit e Belgjikës, kohët e fundit gjeti parregullsi serioze, me vlerë 40 milion €, në lidhje me Shtabin e Policisë, njoftoi e përditshmja belge “L'Echo” në gusht, duke cituar një raport të rrjedhshëm të “Inspfin”-it.

Por VSSE-ja tashmë kishte shënuar çështjen me flamur të kuq, gati 10 vjet më parë, kur filluan bisedimet për Shtabin e Policisë, sipas dy dokumenteve të brendshme të VSSE-së gjithashtu të parë nga EUobserver-i.

Dosjet, të shënuara "sekrete" dhe që datojnë nga 2010-a dhe 2011-a, cituan sugjerime që njerëzit me lidhje me top-partitë politike të Belgjikës u takuan një mbrëmje në një restorant në Bruksel për të ndarë plaçkat nga mashtrimi i supozuar për Selinë e Policisë.

Raportet e VSSE-së gjithashtu dhanë detaje shumëngjyrëshe mbi metodat e pastrimit të parave.

Kompanitë ndonjëherë paguan ryshfet në këmbim të favoreve, duke blerë vepra pseudoarti të shitura nga zyrtarë të korruptuar, thuhet në njërin prej dokumenteve.

"Merrni një shembull ... një objekt pa vlerë, siç është një frigorifer i përdorur i lyer me bojë, i është shitur kompanisë që do të korruptohet për një shumë të rëndësishme me pretekstin se është një send me vlerë të paçmueshme”, thuhet në një raport të VSSE-së. Redaktoi Sefer Xhema-Zeri