Rivarrosen 1.800 ushtarë gjermanë të Betejës së Stalingradit

Rivarrosen 1.800 ushtarë gjermanë të Betejës së Stalingradit

Bota shtator 12, 2019 - 15:36
Detajet

Rusia do të rivarrosë më shumë se 1 800 ushtarë gjermanë nga Beteja e Stalingradit, beteja më e përgjakshme e Luftës së Dytë Botërore.

Të 1 837 ushtarët u varrosën në varrezat ”Rossoschka”, në rajonin aktual rus të Volgograd, pothuajse 75 vjet pas përfundimit të luftës.

“Ne i jemi mirënjohës Rusisë që ka mundur të ndërtojë varreza dhe përmendore për të afërmit tanë’’, tha ish-gjenerali gjerman Wolfgang Schneiderhan.

Rreth 700 000 njerëz u vranë në Betejën e Stalingradit, e cila përfundoi me një fitore të rëndësishme për Bashkimin Sovjetik, duke përmbysur fatin e luftës.

“Unë mendoj se mund të flasim për 300 000 që nuk janë gjetur ende në territoret e Rusisë, Ukrainës dhe Bjellorusisë”, tha Schneiderhan, 73 vjeç.

Që nga fillimi i punës së tij në Rusi në 1992 janë rivarrosur më shumë se 400 000 ushtarë./ATSH