Nuk heq dorë nga Grendlanda, Trump kërkon të hapë konsullatë në këtë ishull

Nuk heq dorë nga Grendlanda, Trump kërkon të hapë konsullatë në këtë ishull

Bota gusht 24, 2019 - 23:02
Lexoni detajet

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump, planifikon të hapë konsullatën amerikane në Grenlandë, vend ky që së fundmi është bërë kryetemë për shkak të deklaratës së të parit të Shtëpisë së Bardhë, se është i interesuar ta blejë këtë vend.

Në letrën e Departamentit amerikan dërguar Kongresit, hapja e konsullatës në Nuuk është pjesë e politikës së jashtme amerikane që ka për qëllim ta rrit prezencën në Arktik, shkruan AP, transmeton Telegrafi.

“SHBA-të kanë interes strategjik për përparimin e raporteve politike, ekonomike dhe komerciale në gjithë rajonin e Arktikut”, thuhet në letrën e dërguar Komitetit të Kongresit për punë të jashtme.

Siç thuhet ndër tjera në letër, prania diplomatike do t’i mundësonte SHBA-ve të mbrojnë njësitë kapitale në Grenlandë dhe të njëjtën kohë do të zhvillonte edhe më shumë marrëdhëniet me zyrtarët e Grenlandës dhe shoqërinë e këtij vendi.

Në letër thuhet se konsullata do të jetë “komponenti kyç i përpjekjeve të SHBA-ve për rritjen e pranisë amerikane në Arktik, dhe do të shërbente si platformë efikase për interesat amerikane në Grenlandë”,

Kujtojmë se gjatë javës së kaluar Trump ka qenë në qendër të vëmendjes, pasi propozoi që SHBA-të ta blejnë Grenlandën, gjë që kategorikisht është refuzuar një propozim i tillë nga Danimarka.

SHBA-të kishin hapur konsullatën në Grenlandë në vitin 1940 pas okupimit të Danimarkës nga nazistët, por ishte mbyllur në vitin 1953.