Brexiti pa marrëveshje do ta dëmtonte seriozisht Britaninë

Brexiti pa marrëveshje do ta dëmtonte seriozisht Britaninë

Bota August 20, 2019 - 08:26
Lexo Detajet

Qeveria britanike është përpjekur t’i minimizojë paralajmërimet nga dokumentet e rrjedhura sekrete mbi rreziqet për britanikët në rast të një Brexiti pa marrëveshje

Reagimet erdhën pasi gazeta britanike “Sunday Times” publikoi dokumente të zbuluara të shërbimit civil, duke detajuar se çfarë mund të ndodhë nëse kryeministri Boris Johnson realizon kërcënimin e tij për të lënë BE-në më 31 tetor pa marrëveshje nëse do të ishte e nevojshme, përcjell gazeta "Zëri".

Paralajmërimet dolën në pah, ndërsa Johnson përgatitet të udhëtojë në Berlin dhe në Paris të mërkurën dhe të enjten për bisedimet e tij të para me krerët e BE-së në lidhje me Brexitin.

Dosja sekrete paralajmëron për ndërprerje të furnizimeve mjekësore, të tilla si insulina dhe vaksina kundër gripit, për shkak të vonesave të lidhura me kontrollet e reja doganore për kamionët që udhëtojnë nëpër Kanalin e Lamanshit më 31 tetor, duke shkaktuar radhë që mund të zgjasin me ditë. Do të kishte më pak zgjedhje të ushqimit të freskët në dyqane dhe çmime më të larta, duke prekur grupet e cenueshme në shoqërinë britanike.

Eksportuesit britanikë të benzinës në Evropë do të përballen me humbje të mëdha për shkak të tarifave të reja dhe dy rafineritë do të pësonin humbje, duke u kushtuar atyre 2.000 vende të punës, transmeton "Zëri".

Do të kishte gjithashtu një kufi të vështirë me Irlandën, duke kërcënuar marrëveshjen e paqes atje, si dhe një rrezik të “çrregullimit publik” në Mbretërinë e Bashkuar, për shkak të protestave rrugore pro dhe anti-Brexit, theksohet në dokument. “Pa dyshim se në këtë rast do të ketë pengesa në rrugë, disa elemente përçarëse në rast të daljes nga BE-ja pa marrëveshje”, tha Michael Gove, ministri përgjegjës për planifikimin e një Brexiti pa marrëveshje.

Por ai shtoi se “dokumenti që u shfaq në ‘Sunday Times’ ishte një përpjekje, në të kaluarën, për të hartuar një strategji se cila do të ishte situata shumë më e keqe në mënyrë që të mundë të ndërmarrim hapa për ta zbutur atë. Dhe ne kemi ndërmarrë hapa”.

“Unë mendoj se është përhapur shumë panik përreth dhe shumë njerëz po luajnë me frikën e përhapur ndaj projektit dhe pjesës tjetër të tij”, tha për televizionin “Sky News” Kwasi Kwarteng, një ministër i ri përgjegjës për energjinë.

Qeveria ka ndarë 2 miliardë £ (2.2 miliardë €) për të lehtësuar ndërprerjet e shkaktuara nga një Brexit pa marrëveshje dhe “i gjithë qëndrimi i qeverisë ka ndryshuar” qëkur u përpilua dokumenti në fillim të këtij muaji, një burim i Downing Street tha gjithashtu për mediet britanike. “Dokumenti është zbuluar qëllimisht nga një ish-ministër në përpjekje për të ndikuar në diskutimet me krerët e BE-së”, shtoi burimi.

Dy nga ministrat e tjerë të Johnsonit gjithashtu shtynë përpara planet për t'u larguar më 31 tetor pa marrë parasysh pasojat.

Steve Barclay, ministri përgjegjës për Brexitin, nënshkroi një ligj që shfuqizonte Aktin e Komuniteteve Evropiane të 1972-s, i cili automatikisht përkthen ligjet e BE-së në ligje të Mbretërisë së Bashkuar, në tetor. “Ky është një moment i rëndësishëm për të marrë përsëri kontrollin e ligjeve tona nga Brukseli”, tha ai.

Piri Pattel, një tjetër ministër britanik, gjithashtu ka bërë përparime me planet për të përfunduar lëvizjen e lirë në Mbretërinë e Bashkuar për qytetarët e BE-së më 31 tetor, tha një burim i zyrës së tij për gazetën “The Independent”. “Këto vendime të papërgjegjshme nëse zbatohen janë plotësisht të rrezikshme për këtë vend dhe ne duhet të eksplorojmë çdo rrugë për t'i shmangur ato”, tha për BBC-në Lord Kordlake, ish-kreu i Shërbimit Civil britanik.

Një Brexit pa marrëveshje “do të kishte implikime të kohës së luftës, në kohë paqeje, të gjitha ato të vetëshkaktuara”, tha Tom Brake, një deputet nga partia opozitare Liberal Demokratike.

Shoqata e Transportit të Mallrave, një grup britanik i lobeve, gjithashtu shprehu shqetësim. “Kjo është hera e parë që industria ka dijeni për çdo kërcënim për furnizimin me karburant - një situatë veçanërisht shqetësuese, pasi kjo do të ndikonte në qarkullimin e mallrave në të gjithë vendin, jo vetëm drejt dhe nga Evropa dhe mund t’i vinte vendet e punës në rrezik në të gjithë sektorin që mban tregtinë e Britanisë”, tha zëdhënësi i saj për shtyp. “Goditja e re ndaj imigracionit e Pattelit është gjithashtu ‘mizore’”, shtoi Ed Davey, një deputet tjetër nga radhët e liberaldemokratëve. “Çfarë do të thotë kjo për qytetarët e BE-së që kanë shtëpitë e tyre në Mbretërinë e Bashkuar dhe që kanë udhëtuar jashtë vendit kur përpiqen të kthehen?”, tha ai, transmeton "Zëri".

“A po sugjeron qeveria seriozisht që infermierët të cilët janë shtetas të BE-së mund të mos lejohen të kthehen në vend [pas 31 tetorit] nëse ndodh që ata kanë qenë jashtë vendit me pushime? Kjo është absurde”, shtoi ai.

Mark Elliott, një profesor i drejtësisë në Universitetin e Kembrixhit, gjithashtu tha se akti i shfuqizimit të Barclayt ishte një gjest bosh, sepse ligji i BE-së i vitit 1972 do të bëhej i paefektshëm vetëm në ditën e daljes dhe data e daljes mund të vonohej akoma pavarësisht projektligjit të ri. “Nëse parlamenti e detyron qeverinë të kërkojë dhe BE-ja e miraton një zgjatje të nenit 50, përkufizimi i ‘ditës së daljes’ mund të ndryshohet dhe shfuqizimi i ECA-së të shtyhet në përputhje me rrethanat”, tha Elliott përmes “Twitterit”, raporton Euobserver. Redaktoi Sefer Xhema /Zeri