Mogherini fton Kosovën në takimin e ministrave në Helsinki, reagon Daçiq

Mogherini fton Kosovën në takimin e ministrave në Helsinki, reagon Daçiq

Bota August 19, 2019 - 23:05
Lexo Detajet

Gjashtë partnerët nga Ballkani Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën, janë  ftuar të marrin pjesë në një takim joformal të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian në Helsinki në fund të gushtit, për të diskutuar bashkëpunimin rajonal.

Agjencia e lajmeve serbe ‘Tanjug’, raporton se shefja në largim e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, ftoi zyrtarisht krerët e diplomacisë të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës të marrin pjesë në një takim joformal të Këshillit të Ministrave të BE-së, i cili do të mbahet në Helsinki më 28 dhe 29 gusht.

“Partnerët nga Ballkani Perëndimor janë ftuar në një takim joformal të ministrave të Jashtëm në Helsinki në fund të muajit për një diskutim të rëndësishëm se si të ecim përpara në bashkëpunimin rajonal”, ka thënë një zëdhënës i BE-së për ‘Tanjug’, transmeton lajmi.net.

Lidhur me këtë ka reaguar ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq. Këtë lëvizje të Mogherinit ai e përshkroi si një “precedent”.

“Në fund të mandatit të saj, ajo dëshiron të tregoj se bëri diçka për Kosovën, por kjo nuk është e drejtë për Serbinë”, ka thënë Daçiq.