Uashingtoni hedh poshtë paralajmërimet për recesion

Uashingtoni hedh poshtë paralajmërimet për recesion

Bota gusht 19, 2019 - 22:19
Lexo Detajet

Pothuajse një vit e gjysmë më parë, Presidenti Donald Trump në një postim në Twitter tha se “luftërat tregtare janë të mira dhe të lehta për t’u fituar.”

Por menjëherë pasi ai njoftoi një rritje tjetër prej dhjetë për qind të tarifave ndaj mallrave kineze me vlerë 300 miliardë dollarë, tregjet globale të aksioneve ranë dhe ekonomistët paralajmëruan një recesion të afërt. Zyrtari më i lartë i tregtisë në administratën e Presidentit Trump dhe një kandidate demokrate për presidente ndanë pikëpamjet e tyre mbi këtë çështje në emisionin “This Week” të kanalit ABC. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi sjell hollësitë.

Ekonomistët paralajmërojnë se mund të ketë një recesion ekonomik. Në gusht, tregjet e aksioneve në Shtetet e Bashkuara pësuan rëniet më të mëdha të vitit, para se të shënonin një rritje të lehtë javën e kaluar si dhe të hënën. Në qendër të këtyre zhvillimeve ekonomike është lufta tregtare e Presidentit Donald Trump me Kinën.

Të Dielën, në emisionin “This Week” të kanalit ABC, zyrtari i lartë i presidentit për ekonominë, Peter Navarro, tha se ekonomia do të jetë mirë.

“Do të kemi një ekonomi të fortë deri në vitin 2020 dhe më tej me një treg të fortë të aksioneve. Nëse kongresi i tejkalon politikat partiake, ne do të arrijmë miratimin e marrëveshjes tregtare SHBA-Meksikë-Kanada. Kjo është marrëveshja më e madhe tregtare në histori, e cila do të na japë edhe qindra mijëra vende të tjera pune.”

Senatorja demokrate dhe kandidatja për presidente, Kirsten Gillibrand, tha se marrëveshja tregtare SHBA-Meksikë-Kanada është e keqe.

“Mendoj se NAFTA 2.0 është një katastrofë. Mendoj se ishte një dhuratë për kompanitë farmaceutike në Meksikë. Do të dëmtojë vendet tona të punës. Presidenti Trump ka thënë se nuk do të bënte “asnjë marrëveshje të keqe tregtare.” Jo vetëm që ai ka bërë marrëveshjte të tilla, por ai gjithashtu nisi një luftë tregtare me Kinën, dhe vërtet po dëmton prodhuesit”.

Ministria kineze e Tregtisë u tha kompanive kineze që të ndalonin blerjen e produkteve bujqësore amerikane pasi Presidenti Trump kërcënoi se do të vendoste një tarifë prej dhjetë për qind ndaj mallrave kineze me vlerë 300 miliardë dollarë.

“Ajo që bëri presidenti është shqyrtimi i kësaj çështjeje dhe që nga një shtatori, gjysmës së këtyre mallrave të listës do t’u vendoset tarifë dhjetë për qind. Një nga gjërat që presidenti bën mirë është angazhimi me komunitetin e biznesit, udhëheqësit e sindikatave dhe të gjithë të tjerët”, tha Peter Navarro, Drejtor i Politikave të Tregtisë dhe Prodhimit në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk mendoj se këndvështrimi i tij i botës reflektohet në çështjet e përditshme me të cilat përballen familjet amerikane. Ata shqetësohen për vendet e tyre të punës, për qasjen në kujdesin shëndetësor, për të ardhurat për fëmijët e tyre”, tha senatorja demokrate Kirsten Gillibrand.

“Shtetet e Bashkuara, tani për tani, kanë ekonominë më të mirë në botë”, thotë Presidenti Trump.

Megjithë pretendimet se Pekini po vuan pasojat financiare, Presidenti Trump kohët e fundit vonoi vendosjen e disa tarifave ndaj mallrave kineze deri pas sezonit të blerjeve të fundivitit.

Lufta tregtare SHBA-Kinë duket madje se ka bërë që të shmanget mbështetja e zakonshme e Shteteve të Bashkuara për protestat pro-demokracisë si ato që po ndodhin aktualisht në Hong Kong, dhe për të cilat Shtetet e Bashkuara në masë të madhe kanë heshtur. /VoA