Irani paralajmëron ShBA-në: Mos tentoni ta sekuestroni anijen tonë

Irani paralajmëron ShBA-në: Mos tentoni ta sekuestroni anijen tonë

Bota August 19, 2019 - 11:17
Lexoni detajet

Irani i ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të mos përpiqen ta sekuestrojnë anijen me naftë në det të hapur pasi ajo u lirua nga autoritetet e Gjibraltarit.

Anija iraniane ka qenë shkak i tensioneve diplomatike mes Tehranit dhe shteteve perëndimore. Raportohet se ajo është nisur drejt Greqisë nëpër ujërat e Detit Mesdhe disa orë pasi Gjibraltari e refuzoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara që ky mjet të sekuestrohet.

I pyetur se a munden Shtetet e Bashkuara ta përsërisin kërkesën për sekuestrim të anijes, një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha: “Një veprim i tillë do ta rrezikonte sigurinë e lundrimit në det të hapur. Ne e kemi lëshuar një paralajmërim përmes kanaleve zyrtare, veçanërisht përmes ambasadës zvicerane.”

Zvicra i përfaqëson interesat e Shteteve të Bashkuara në Iran, sepse Tehrani nuk ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me Uashingtonin.

Marina Mbretërore Britanike e kishte sekuestruar këtë anije pranë brigjeve të Gjibraltarit më 4 korrik me arsyetimin se ajo po transportonte naftë drejt Sirisë në kundërshtim me sanksionet e Bashkimit Evropian kundër këtij shteti.

Ky veprim e kishte nxitur sekuestrimin e një anije britanike nga Irani në Gjirin Persik në shenjë hakmarrjeje për anijen iraniane. Këto veprime shkaktuan krizë diplomatike mes dy shteteve. Britania u kundërpërgjigj me dërgimin e një luftanije në Gjirin Persik për të ofruar më shumë mbrojtje për anijet tregtare, shkruan “The Guardian”