ISIS-i merr përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës me 63 viktima në një dasëm në Afganistan (VIDEO)

ISIS-i merr përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës me 63 viktima në një dasëm në Afganistan (VIDEO)

Bota August 18, 2019 - 22:04
Lexo Detajet

Së paku 63 njerëz janë vrarë në Kabul të Afganistanit pas një shpërthimi vetëvrasës në një sallë dasmash. Ky ishte një ndër sulmet më të përgjakshme në muajt e fundit në shtetin e rrënuar nga lufta e gjatë.

Dega e të ashtuquajturit Shtet Islamik në këtë rajon e lëshoi një deklaratë në internet të dielën, përmes së cilës e mori përgjegjësinë për shpërthimin. Ky grup është bërë i njohur kohëve të fundit për shkak të sulmeve të tmerrshme kundër civilëve.

Në mesazhin e publikuar përfshihet fotografia e një burri të ri që mbante në dorë një armë të gjatë, i paraqitur si shtetas pakistanez me emrin Abu Asim. Grupi ka thënë se në këtë dasmë ishin mbledhur një grup i politeistëve, siç i quajnë ata praktikuesit e degës shiite të Islamit.

Shifra e tmerrshme e viktimave të sulmit në natën e dasmës u bë e ditur të nesërmen në mëngjes, kur Ministria e Brendshme e Afganistanit njoftoi se së paku 63 persona janë vrarë dhe më shumë se 180 të tjerë janë plagosur.

Zëdhënësi i talibanëve, Sohail Shaheen, tha përmes një postimi në internet se ky grup nuk ka lidhje me sulmin në dasmë, duke shtuar se e dënon atë dhe e ndan dhimbjen me popullin.

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, ka shprehur ngushëllime për familjarët e viktimave dhe njoftoi se e ka anuluar pjesëmarrjen në një ceremoni për shënimin e 100-vjetorit të pavarësisë së këtij shteti nga Britania e Madhe, shkruan “Washington Post”.