Më shumë se 60 të vrarë nga shpërthimi në një sallë dasmash në Afganistan

Më shumë se 60 të vrarë nga shpërthimi në një sallë dasmash në Afganistan

Bota August 18, 2019 - 08:16
Lexoni detajet

Mbi 60 persona kanë mbetur të vdekur dhe më shumë se 180 të tjerë janë lënduar nga një shpërthim që ndodhi në një sallë dasmash të shtunën në mbrëmje në Kabul të Afganistanit. Besohet se më shumë se një mijë njerëz ndodheshin brenda sallës në momentin e shpërthimit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Afganistanit, Nusrat Rahimi, tha para gazetarëve se ende nuk kanë informacione të sakta për shkaktarin e këtij shpërthimi. Në anën tjetër, talibanët e kanë mohuar përgjegjësinë për sulmin që ndodhi në pjesën perëndimore të kryeqytetit afgan, e cila banohet kryesisht nga pakica shiite.

Rahimi tregoi se në mesin e viktimave ka edhe gra dhe fëmijë. Mohammad Farhag, i cili ishte i pranishëm në këtë dasmë, tha se ndodhej në hapësirën e dedikuar për gra kur e dëgjoi një shpërthim të fuqishëm në pjesën ku ndodheshin burrat. “Të gjithë vrapuan për të dalë jashtë duke bërtitur dhe duke qarë”, tha ai.

“Për më shumë se 20 minuta, salla ishte plot tym. Pothuajse të gjithë në hapësirën e burrave janë të vrarë ose të plagosur”, tha dëshmitari i shpërthimit, duke shtuar se trupat e të vrarëve ende janë duke u tërhequr nga salla edhe dy orë pas sulmit.

Më 7 gusht, 14 njerëz u vranë dhe 145 të tjerë u lënduan nga një shpërthim i veturës bombë. Shpërthimi kishte ndodhur në të njëjtën rrugë ku ndodhi sulmi i së shtunës. Në mesin e viktimave kishte edhe fëmijë, shkruan “The Guardian”./Express.