Sudan, opozita dhe ushtria nënshkruajnë marrëveshjen për qeverisje tranzitore

Sudan, opozita dhe ushtria nënshkruajnë marrëveshjen për qeverisje tranzitore

Bota August 18, 2019 - 08:10
Lexoni detajet

Këshilli ushtarak që qeveris Sudanin dhe koalicioni opozitar kanë nënshkruar një marrëveshje për të filluar një periudhë të re qeverisjeje tranzitore.

Marrëveshja erdhi pas negociatash të gjata mes këshillit ushtarak dhe Aleancës për Liri dhe Ndryshim, e cila ka drejtuar lëvizjen e protestave që janë mbajtur në vend për muaj të tërë.

Marrëveshja krijon një këshill të ri drejtues, me përfaqësues nga të dy blloqet dhe i hap rrugë zgjedhjeve.

Mohamed Hamdan “Hemeti” Dagolo, i konsideruar gjerësisht si njeriu më i fuqishëm i Sudanit, është zotuar të respektojë marrëveshjen.

Marrëveshja u nënshkrua prej tij, nga gjenerali Abdel Fattah Abdelrahman Burhan për këshillin ushtarak, dhe Ahmed al-Rabie si përfaqësues i Aleancës për Liri dhe Ndryshim.

Kryeministrat e Etiopisë dhe Egjiptit si dhe presidenti i Sudanit të Jugut ishin midis udhëheqësve rajonalë që morën pjesë në ceremoni e nënshkrimit të kësaj marrëveshje.

Qëkur ushtria rrëzoi nga pushteti ish-presidenti Omar Al Beshir në prill të këtij viti, Sudani është përballur me trazira, por marrëveshja për shpalljen e kushtetutës së shumëpritur u prit me festime.

Në muajin korrik, Këshilli ushtarak dhe opozita nënshkruan një marrëveshje për ndarjen e pushtetit por që atëherë protestuesit kanë pritur që të informohen për më shumë detaje për marrëveshjen.

Protestat e para shpërthyen në vend në dhjetor të vitit të shkuar, pasi qeveria e ish presidenti Bashir njoftoi marrjen e masave shtrënguese ekonomike.

Ai u rrëzua nga pushteti nga ushtria pas protestash që zgjatën me ditë të tëra jashtë ministrisë së mbrojtjes në kryeqytetin Khartum.