A do të ketë sanksione amerikane ndaj Turqisë?

A do të ketë sanksione amerikane ndaj Turqisë?

Bota July 19, 2019 - 11:39
Lexoni detajet

Autoritetet turke kanë arsye të ndjehen të lehtësuar. Tash për tash, Shtetet e Bashkuara nuk po planifikojnë sanksione ndaj Ankarasë edhe pse ato ishin paralajmëruar për një kohë të gjatë.

"Shtetet e Bashkuara aktualisht nuk po shikojnë në drejtim të vendosjes së sanksioneve ndaj Turqisë për shkak të blerjes së sistemeve ruse të mbrojtjes ajrore", tha presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Megjithatë, ai nuk e përjashtoi mundësinë që të ndodhë diçka e tillë.

Vlera e monedhës turke shënoi ngritje menjëherë pas deklaratave të Trumpit.

Blerja e sistemit rus të mbrojtjes raketore nga ana e Ankarasë ka zemëruar Uashingtonin dhe thirrjet e njëpasnjëshme për të hequr dorë nga këto plane, nuk patën sukses.

Një pjesë e këtij sistemi ka mbërritur nga Rusia në Turqi.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë, disa ditë më parë, njoftoi se pjesëmarrja e Turqisë në programin e furnizimit me aeroplanë ushtarakë amerikanë F-35 është e pamundur, për shkak të instalimit të sistemit rus.

Shtetet e Bashkuara thonë se sistemi rus paraqet rrezik për aeroplanët ushtarakë amerikanë.

Edhe aleatët e tjerë të NATO-s i kanë tërhequr vërejtjen Turqisë se sistemi rus paraqet rrezik për pajisjes ushtarake të NATO-s.

Por, në Shtetet e Bashkuara ekziston një ligj i cili parasheh sanksione ndaj shteteve që bëjnë biznes me Ushtrinë e Rusisë.

Dhe, pikërisht në këtë ligj po thirren disa ligjvënës republikanë dhe demokratë, të cilët po kërkojnë që administrata e SHBA-së të vendosë sanksione ndaj Ankarasë.

Senatorët republikanë, Rick Scott dhe Todd Young, paraqitën një rezolutë që bën thirrje për sanksione, pasi Ankaraja, javën e kaluar filloi pranimin e një sistemi të avancuar të mbrojtjes raketore të Rusisë.

Një senator tjetër nga kampi demokrat, Bob Menendez, tha se kjo masë ndaj Turqisë nuk është e mjaftueshme.

"Ligji në mënyrë të qartë parashikon sanksione për ‘transaksione të rëndësishme’ me sektorët e mbrojtjes dhe inteligjencës së Federatës Ruse", tha ai në një deklaratë me email, raporton Reuters.

Agjencia Reuters shkruan se rezoluta e senatorëve bën thirrje që administrata Trump të thërrasë bisedime në NATO, për të diskutuar lidhur me kërcënimet e paraqitura nga Rusia dhe për të shqyrtuar përfshirjen e Turqisë në NATO.

Retorika ndërmjet dy vendeve lidhur me këtë çështje ka qenë mjaft e lartë gjatë muajve të kaluar.

Ndihmës-sekretarja amerikane e Mbrojtjes, Kathryn Wheelbarger pati thënë se blerja e sistemit të raketave S-400 nga ana e Turqisë, do të kishte një efekt "shkatërrues" për raportet e saj me aleatët tjerë të NATO-s.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu u kundërpërgjigj se “se askush nuk mund t’i japë ultimatume Turqisë”.

Krahas kësaj retorike mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre turq, presidenti amerikan Donald Trump, ishte më i butë në deklarimet e tij dhe disa ditë më parë tregoi edhe “fajtorin” për këtë situatë.

Ai është paraardhësi i tij, Barack Obama.

Në kohën kur Obama ishte president, Turqia kishte kërkuar të blejë sistemin amerikan të mbrojtjes raketore të quajtur "Patriot", mirëpo procesi i shitjes kishte shënuar ngecje.

Më pas Turqia ishte orientuar kah Rusia.

Kjo, sipas presidentit Trump, ka bërë që tash të bëhet e pamundur edhe shitja e aeroplanëve amerikanë në vlerë miliarda dollarësh autoriteteve turke.

Përkundër mospajtimeve për një gamë të gjerë çështjet, raportet ndërmjet presidentit Trump dhe atij turk, Reccep Tayip Erdogan, të paktën gjatë paraqitjeve publike kanë qenë të mira.

Ata disa herë e kanë quajtur njëri-tjetrin si miq të mirë. /Rel