SHBA-ja e Irani nuk duan luftë

SHBA-ja e Irani nuk duan luftë

Bota June 26, 2019 - 08:12
Lexoni detajet

Situata midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është gjithnjë e më e tensionuar. Nuk po shihet ndonjë marrëveshje në horizont. Megjithatë, ekspertët pajtohen: Të dyja palët duan të shmangin eskalimin ushtarak, shkruan sot Gazeta 'Zëri".

Siç paralajmëroi gjatë fundjavës, presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump njoftoi se SHBA-ja ka aplikuar sanksione të reja më të ashpra financiare ndaj Iranit, të cilat menjëherë do të hyjnë në fuqi.

Sipas presidentit Trump, rregullat e reja të ashpra janë drejtuar kundër udhëheqësit më të lartë të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, të cilit i mohohet, duke përfshirë edhe rrethin e tij, të ketë qasje në burime të rëndësishme financiare.

Sanksionet e reja janë një shenjë tjetër që përshkallëzimi midis SHBA-së dhe Iranit po intensifikohet. Pasi që Trump të enjten e kaluar në minutën e fundit anuloi sulmet ajrore në Iran në shenjë hakmarrjeje për rrëzimin e fluturakes pa pilot, ai dhe këshilltarët e tij kanë bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara, këtë herë, abstenojnë, por kjo nuk do të thotë se për Iranin nuk do të ketë pasoja.

“As Irani dhe as pjesëmarrësit e tjerë armiqësorë nuk duhet të kuptojnë përmbajtjen e Shteteve të Bashkuara si një dobësi”, ka thënë këshilltari i Trumpit për Siguri Kombëtare, John Bolton. Vetë presidenti amerikan tha të hënën: “Unë mendoj se ne treguam një dozë të lartë të përmbajtjes, por kjo nuk do të thotë se ne do të tregohemi të përmbajtshëm edhe në të ardhmen”.

Sanksionet në vend të një sulmi ushtarak

Sulmet ajrore u anuluan, në vend të kësaj - sanksionet. Kjo mund të nënkuptojë se Trumpi do ta zgjidhë më mirë konfliktin me Iranin përmes diplomacisë. Pra, Irani “vetëm” e ka rrëzuar dronin pa pilot, edhe pse ushtria iraniane vetë deklaroi se ajo ishte në gjendje për të rrëzuar edhe avionin përcjellës. “Është e qartë se asnjëra palë nuk dëshiron luftë”, tha për DW-në Alex Vatanka, bashkëpunëtor i lartë i qendrës kërkimore amerikane “Instituti i Lindjes së Mesme”, shkruan më tutje Gazeta "Zëri". 

Në të njëjtën kohë Vatanka paralajmëron se vetëm një lëvizje e gabuar mund të çojë në një shpërthim. “Është e rëndësishme të jenë të vetëdijshëm se një situatë e tillë e tensionuar, me kaq shumë pjesë të lëvizshme, mund të çojë në hapa të gabuar”, ka thënë eksperti për sigurinë, i cili ka lindur në Teheran. Pastaj nuk mund të pasojë ajo më e keqja.

Që nga largimi prej marrëveshjes bërthamore Trump ka bërë të qartë se me çdo kusht do të parandalojë Iranin nga arritja e armëve bërthamore. Ai dëshiron t’i kthejë iranianët në tryezën e bisedimeve dhe të negociojë atë që ai e quan një marrëveshje më të mirë, e cila Teheranin do ta detyronte për një periudhë më të gjatë se ajo që u ra dakord në vitin 2015. Megjithatë, me sanksionet e tij gjithnjë e më të rrepta presidenti i SHBA-së deri më tani ka arritur vetëm që udhëheqësit e Iranit edhe më shumë të këmbëngulin në pozicionet e tyre.

“Në të kaluarën sanksionet funksiononin sepse ishin shumëpalëshe dhe kishin një bazë diplomatike. Në atë kohë kanalet e komunikimit ndaj Iranit ishin të hapura, ky nuk është rasti tani”, thotë Callie Thomas, e cila punon në qendrën kërkimore amerikane “Qendra e Sigurisë së Re Amerikane”.

Trump si një polic i mirë diplomatik

Pra cili është plani i sanksioneve kundër Iranit i ndërmarrë nga Trumpi, i cili gjatë mandatit të tij nuk ka dhënë fryt?

Vatanka beson se qeveria amerikane i mban shpresat në popullatën iraniane, e cila po vuan gjithnjë e më shumë nga sanksionet ekonomike. “Administrata ‘Trump’ do të dëshironte më së shumti kur njerëzit në Iran për shkak të kushteve të këqija të jetesës të shprehnin pakënaqësitë e tyre dhe më në fund të kërkonin ndryshimin e regjimit”, thotë Vatanka dhe shton: “Por unë mendoj se diçka e tillë në të ardhmen e afërt është pothuajse e pamundur”.

Meqenëse nuk do të ketë ndryshime në regjimin në Republikën Islamike në kohën e duhur presidenti amerikan duhet të përpiqet të përdorë mjete të tjera për të bindur Iranin për të negociuar. Për shembull, duke e krahasuar me këshilltarin e tij të sigurisë John Bolton ose me sekretarin shtetëror Mike Pompey, presidenti Trump mund të veprojë si një alternativë - si një bashkëbisedues më i arsyeshëm.

“Ai mund të luajë këtë lojë, policin e mirë dhe të keq”, thotë Vatanka. “Ai duhet vetëm të marrë si shembull Boltonin ose Pompeon dhe të thotë: ‘Ju mendoni se unë jam i keq. Shikoni ata të dytë’”.

Edhe ekspertja e Lindjes së Mesme, Callie Thomas, thotë se Bolton do të ishte më i përgatitur për një konflikt ushtarak, por përfundimisht kjo vendoset nga presidenti Trump. “Ai duhet t’i tregojë Iranit se qeveria në tërësi është e interesuar për një zgjidhje diplomatike, përndryshe Irani nuk do të kthehet aq shpejt në tryezën e negociatave”. Redaktoi Sefer Xhema /ZERI