Franca në kërkim të personit që shpërtheu bombën në qytetin e Lionit

Franca në kërkim të personit që shpërtheu bombën në qytetin e Lionit

Bota May 25, 2019 - 19:37
Lexoni detajet

Policia franceze është në kërkim të një personi i cili e la bombën në një trotuar, të një rruge e cila është mjaftë e frekuentuar për shkak të tregtisë dhe dyqaneve të shumta, në qytetin e Lionit.

Bomba, kishte shpërthyer dhe kishte lënduar 13 persona, raporton Reuters, transmeton Gazeta Express.

90 policë hetimorë, të mbështetur nga 30 shkencëtarë dhe teknikë të policisë, janë në kërkim të një njeriu, i cili ishte parë në kamerat e sigurisë rreth orës 17:30, gjatë ditës së premte.

Personi shihet tek sa e lëshon një çantë, afër një furre. Çanta shpërtheu rreth një minutë pasi që ai e la.

Policia franceze ishin në gjendje që t’i ndiqnin lëvizjet e njeriut, i cili me sa duket është rreth të 30-tave. Por ende nuk e kanë identifikuar për shkak se ai kishte vendosur një kapele dhe syze dielli.

Hetimet po vazhdojnë, duke i ndjekur gjurmët e ADN-së dhe shenjat e gishtërinjve.

Duke u bazuar në rrethanat, rasti është duke u hetuar si sulm terrorist, i cili ndodhi në mes të ditës.

Nga të lënduarit, është edhe një vajzë 10 vjeçare.