Shtohet thirrjet për dorëheqjen e kryeministres britanike, Theresa May

Shtohet thirrjet për dorëheqjen e kryeministres britanike, Theresa May

Bota May 22, 2019 - 18:33
Detajet

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, po përballet me thirrje për dorëheqje nga pozita e saj në kohën kur kundërshtimet ndaj planit të saj për Brexitin janë shtuar edhe nga deputetët e partisë së vet, Partisë Konservatore.

Disa ministra të kabinetit qeveritar i kanë thënë BBC-së se ajo nuk mund të qëndrojë në krye të qeverisë, ndërsa njëri nga ta ka thënë se ky është fundi i rrugës. Megjithatë, disa të tjerë kanë thënë se May duhet ta çojë përpara planin e saj për ta hedhur në votim marrëveshjen për largimin e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

Deputetët e Partisë Konservatore nuk janë të kënaqur me koncesionet që kryeministrja i ka bërë në këtë marrëveshje, por ajo ka bërë thirrje që të arrihet një kompromis nga të gjitha anët.

Kryeministrja May i informoi deputetët se marrëveshja, në të cilën përfshihen premtimi për referendum të dytë dhe opsione të ndryshme për doganat, do të publikohet të premten. Ajo gjithashtu kishte premtuar më parë se do të japë dorëheqje nga posti i saj, nëse deputetët e miratojnë marrëveshjen me Bashkimin Evropian.

Ish-ministri Stephen Crabb tha se zonja May duhet të largohet sa më shpejt që është e mundur, duke shtuar se kryeministri i ri duhet të caktohet brenda disa javësh, shkruan “BBC”.