Gjermania shpenzoi shifër rekorde për integrimin e refugjatëve

Gjermania shpenzoi shifër rekorde për integrimin e refugjatëve

Bota May 20, 2019 - 16:26
Detajet

Sipas një dokumenti qeveritar të siguruar nga agjencia e lajmeve “Reuters”, Gjermania i ka shpenzuar 23 miliardë euro vitin e kaluar për integrimin e më shumë se një milion refugjatëve. Këto shpenzime paraqesin shifër rekorde për ekonominë më të madhe të Evropës.

Bazuar në dokumentin e përgatitur nga Ministria e Financave, shpenzimet shtetërore për refugjatët gjatë vitit 2018 ishin 11 për qind më të larta se në vitin 2017, kur shteti për të njëjtin qëllim kishte harxhuar 20.8 miliardë euro.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e ka mbrojtur vazhdimisht vendimin e vitit 2015 për t’i mbajtur të hapur kufijtë e Gjermanisë për qindra mijëra refugjatë të luftës, shumica e të cilëve vijnë nga vendet myslimane. Ajo kishte thënë se kjo është politikë e nevojshme humanitare.

Qeveria gjermane në vitin 2018 shpenzoi 7.9 miliardë euro për masat që ndikojnë në zvogëlimin e numrit të imigrantëve në Bashkimin Evropian dhe përmirësimin e kushteve të jetesës në vendet e tyre të lindjes. Në këtë aspekt, shpenzimet shtetërore të Gjermanisë ishin 16 për qind më të larta se në vitin 2017.

Në raportin e Ministrisë së Financave thuhet se 16 krahinat autonome të Gjermanisë, të cilat ofrojnë strehim dhe integrim për imigrantët nga Siria, Iraku dhe Afganistani, kanë marrë 7.5 miliardë euro nga qeveria federale për këto shpenzime, shkruan “Reuters”.