OKB me mjet të ri për identifikimin e udhëtarëve të dyshuar si ekstremistë

OKB me mjet të ri për identifikimin e udhëtarëve të dyshuar si ekstremistë

Bota May 07, 2019 - 18:45
Detajet

Organizata e Kombeve të Bashkuara njoftoi sot vënien në dispozicion të shteteve të saj anëtare një program të ri kompjuterik për të zbuluar më mirë udhëtarët e dyshuar si ekstremistë, një mjet që tashmë i intereson pesëmbëdhjetë shteteve, përfshirë Sri Lankën, Irakun apo Marokun.

I emërtuar “Go Travel”, softueri është një version i përmirësuar i një portali kompjuterik që Holanda ia dorëzoi në vitin 2018 Kombeve të Bashkuara.

Me një vlerë të parashikuar nga dhjetë deri në pesëmbëdhjetë milionë dollarë, ky program do t’u jepet falas vendeve që e kërkojnë, të cilët duhet të pajisen me kompjutera për ta përdorur atë, sipas OKB-së, përcjell Atsh.

Duke iu referuar sulmeve të fundit në Kenia, Zelandën e Re apo Sri Lanka, sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres solli në vëmendje përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së se “goditja e terrorizmit” ishte “me rëndësi globale”. Këto sulme theksojnë nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë midis partnerëve në të gjithë OKB-në dhe më gjerë.