Hungaria nuk u jep ushqim azilkërkuesve të ndaluar

Hungaria nuk u jep ushqim azilkërkuesve të ndaluar

Bota April 26, 2019 - 16:21
Detajet

Aktivistët për të drejtat e njeriut kanë thënë se autoritetet hungareze po ua ndalojnë vazhdimisht ushqimin azilkërkuesve që janë bllokuar në zonat kufitare të tranzitit.

Politika për të mos ofruar ushqim për njerëzit që u është refuzuar azili është përshkruar si shkelje e pashembullt e të drejtave të njeriut në shekullin 21 nga Komisioni i Helsinkit, i cili është organizatë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe anëtarët e së cilës po përfiqen të ofrojnë ndihmë ligjore për personat e ndaluar në zonat kufitare të tranzitit.

Përmes një deklarate të publikuar këtë javë, ky grup ka arritur në përfundim se këto shkelje mund të vlerësohen si trajtim çnjerëzor. Përfaqësuesit e saj ofruan dëshmi për tetë raste ku përfshiheshin 13 njerëz gjatë këtij viti, kur autoritetet hungareze kishin filluar të shpërndanin ushqim për këta njerëz vetëm pas ndërhyrjes së gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut. Disa persona kishin mbetur pa ushqim deri në pesë ditë.

Kryeministri nacionalist i Hungarisë, Viktor Orban, e ka ndërtuar programin e tij politik përmes qëndrimve të ashpra për migrimin dhe portretizimin negativ të refugjatëve. Në vitin 2015, ai kishte dhënë urdhër për ndërtimin e rrethojës përgjatë kufirit jugor me Serbinë dhe vazhdimisht e ka përmendur rrezikun nga imigrantët në fjalimet e tij.

Për më tepër, Hungaria ka vënë taksë për të gjitha organizatat joqeveritare që merren me çështjet e imigrantëve, shkruan “The Guardian”.