'Dashuria e madhe' e Koresë së Veriut për Rusinë

'Dashuria e madhe' e Koresë së Veriut për Rusinë

Bota April 26, 2019 - 08:07
Lexoni detajet

Të dy liderët i zhvilluan bisedimet në një ishull pranë qytetit rus të Vladivostokut, dy muaj pasi samiti i Kim Jong-unit me presidentin amerikan Donald Trump përfundoi pa asnjë mosmarrëveshje

Lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-Un dhe presidenti rus Vladimir Putin u takuan në një samit të enjten për të treguar se Uashingtoni nuk është e vetmja fuqi me ndikim të mjaftueshëm për t’u angazhuar me Phenianin për mosmarrëveshjet mbi programin e tij bërthamor.

Të dy liderët i zhvilluan bisedimet në një ishull pranë qytetit rus të Vladivostokut dy muaj pasi samiti i Kim Jong-unit me presidentin amerikan Donald Trump përfundoi pa asnjë mosmarrëveshje, duke zbehur shpresat për një përparim të madh në konfliktin e vjetër prej disa dekadash mbi programin bërthamor koreano-verior.

Para nisjes së bisedimeve Vladimir Putin tha se samiti duhet të ndihmojë në planifikimin e përpjekjeve të përbashkëta për të gjetur një zgjidhje në lidhje me programin bërthamor të Phenianit. Putin shprehu besimin se vizita e Kim “do të ndihmojë për të kuptuar më mirë se çfarë duhet bërë për të zgjidhur krizën në Gadishullin Korean, çfarë mund të bëjmë së bashku dhe çfarë mund të bëjë Rusia për të mbështetur proceset pozitive që po ndodhin tani”.

Putin ndërkohë dëshiron të zgjerojë ndikimin e Moskës në rajon dhe të rivalizojë në këtë aspekt Uashingtonin. “Ne mirëpresim përpjekjet tuaja për të zhvilluar një dialog ndërkorean, si dhe për t’i normalizuar marrëdhëniet e Koresë së Veriut me Shtetet e Bashkuara”, i tha Putinit Kim Jong-uni.

Nga ana e tij lideri i vendit komunist vuri në dukje se me vëmendjen e botës që tani është përqendruar në Gadishullin Korean, “unë mendoj se do të kemi një dialog shumëdomethënës për ndarjen e mendimeve tona mbi këtë çështje”.

Hapa të pjesshëm drejt çarmatimit bërthamor

Në shkurt të këtij viti bisedimet Trump - Kim përfunduan pa asnjë marrëveshje, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi sanksionet e vendosura më herët nga Shtetet e Bashkuara ndaj Phenianit. Që atëherë nuk ka pasur me kontakte publike të nivelit të lartë midis SHBA-së dhe Koresë së Veriut, megjithëse të dyja palët thonë se janë ende të hapura për një samit të tretë.

Kim dëshiron që Shtetet e Bashkuara t’i lehtësojnë sanksionet, në mënyrë që ai të mundë të ndërmarrë më pas hapa të pjesshëm drejt çarmatimit bërthamor, të cilat ai i nisi që vitin e kaluar. Por SHBA-ja thotë se sanksionet do të qëndrojnë në fuqi, derisa Koreja e Veriut të bëjë lëvizje më të rëndësishme drejt denuklearizimit. Koreja e Veriut ka shprehur gjithnjë e më shumë mllef në lidhje me negociatat e bllokuara. Javën e kaluar ajo testoi një armë të re dhe kërkoi që sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo të largohet nga bisedimet mbi programin e saj bërthamor.

Kim arriti në Vladivostok me një tren të blinduar, duke deklaruar për televizionin shtetëror rus se ai shpresonte që vizita e tij e parë në Rusi do të ishte e suksesshme dhe e dobishme. Ai foli për “dashurinë e madhe për Rusinë” që kishte babai i tij dhe se ai synon t’i forcojë lidhjet mes dy vendeve.

I ndjeri Kim Jong II kreu tri udhëtime në Rusi, herën e fundit në vitin 2011, pak muaj para vdekjes së tij. Ashtu si Shtetet e Bashkuara, Rusia ka kundërshtuar fuqishëm programin bërthamore të Phenianit.

Duke folur para bisedimeve këshilltari i Putinit mbi Çështjet e Jashtme, Juri Ushakov, tha se Rusia do të synojë të konsolidojë tendencat pozitive që rrjedhin nga dy takimet Trump - Kim. Ai vuri në dukje se Kremlini do të përpiqet të ndihmojë në krijimin e parakushteve dhe një atmosfere të favorshme për arritjen e marrëveshjeve solide mbi problemin e Gadishullit Korean”.

Pheniani kërkon furnizime dhe investime ruse në energjetikë

Dmitri Trenin, drejtori i qendrës “Carnegie Moscow”, tha se Putin ka gjasa të inkurajojë Kim t’i vazhdojë bisedimet konstruktive me SHBA-në, duke reflektuar shqetësimin e Rusisë për programet bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut. “Nuk mund të pritet që Rusia t’i bashkohet Koresë së Veriut dhe ta mbështesë Phenianin në Këshillin e Sigurimit, ku Rusia është një anëtare me të drejtën e vetos dhe ku të gjitha sanksionet e vendosura ndaj Koresë së Veriut kërkojnë miratimin e Rusisë”, mendon Trenin.

Analisti rus theksoi se Moska është mosbesuese që Koreja e Veriu mund të bindet të braktisë plotësisht armët e saj bërthamore, duke e konsideruar këtë një mision të pamundur.

“Pheniani nuk do të heqë dorë nga garancia e vetme e mbijetesës së regjimit të saj”, tha Trenin.

Ndërkohë Rusia do të donte të kishte një qasje më të madhe në burimet minerare të Koresë së Veriut, duke përfshirë metalet e rralla.

Nga ana e tij Pheniani kërkon furnizime dhe investimet ruse në energjetikë për t’i modernizuar impiantet industriale, hekurudhat dhe infrastrukturën e saj të shkatërruar sovjetike. Për Kremlinin samiti është një shans i mirë për të treguar se është një lojtar global diplomatik, pavarësisht përpjekjeve nga Shtetet e Bashkuara dhe nga shtetet e tjera perëndimore për ta izoluar atë./ “Reuters”.