Orteku mbyt tre alpinistë të njohur në Kanada

Orteku mbyt tre alpinistë të njohur në Kanada

Bota April 19, 2019 - 17:24
Lexo lajmet e fundit nga bota

Tre alpinistë të suksesshëm dhe të njohur kanë vdekur për shkak të shembjes së një orteku në bjeshkët e Kanadasë.

Alpinistët austriakë, David Lama dhe Hansjorg Auer, dhe alpinisti amerikan, Jess Roskelley, ishin zhdukur që disa ditë pasi ishin nisur për t’u ngjitur në malin Howse, i cili ndodhet në parkun kombëtar të Albertas.

Alarmi për zhdukjen e alpinistëve ishte dhënë nga babai i njërit prej alpinistëve pasi biri i tij nuk ishte përgjigjur në telefon. Njoftimi i tij ishte pasuar me kërkime nga ajri, të cilat u ndërmorën nga autoritetet kanadeze.

Zyrtarët kanë njoftuar se përmes fluturimit me helikopter janë parë mbetjet e ortekut, pajisjet e ngjitjes dhe një trup i futur përgjysmë në borë pikërisht në zonën ku burrat ishin ngjitur. Për shkak të kushteve të rrezikshme, autoritetet ende nuk kanë arritur t’i nxjerrin trupat e tre alpinistëve nga bora.

Në një deklaratë të lëshuar nga shërbimi kanadez i parqeve është bërë e qartë se nuk ka gjasa që alpinistët të gjenden të gjallë. “Hetimet janë duke vazhduar, por përpjekjet për shpëtim nuk mund të kryhen për shkak të ortekëve tjerë dhe rreziqeve të ndryshme”, thuhet në deklaratë.

Rruga që e kishin zgjedhur tre alpinistët, e njohur si M16, vlerësohet si një nga më të vështirat që ekzistojnë në Kanada. Kjo rrugë ishte ndërtuar për herë të parë në vitin 1999, por rrallë është shkelur nga alpinistët, shkruan “The Guardian”.