Opsionet e reja për Brexitin

Opsionet e reja për Brexitin

Bota March 23, 2019 - 08:35
Lexo Detajet

Britania e Madhe do të dilte pas një jave nga BE-ja. Por ky vendim u shty edhe ca. Cilat janë opsionet?

Brexiti i menjëhershëm pas një jave nuk do të ndodhë. Atë arritën ta shmangnin të enjten në mbrëmje në Bruksel krerët e qeverive të mbledhura aty në samitin e radhës. Sipas vendimeve paraprake të samitit ka dy mundësi, përcjell gazeta "Zëri".

- Nëse May arrin javën e ardhshme ta miratojë në parlament marrëveshjen e negociuar, atëherë Brexiti do të shtyhet për datën 22 maj. Kjo do të ishte koha që do të duhej për ratifikimin e Marrëveshjes nga të gjitha vendet e BE-së;

- Nëse parlamenti javën e ardhshme sërish e rrëzon Marrëveshjen e Brexitit, atëherë qeveria britanike duhet të thotë deri më 12 prill se si do të vijojë më tej. Nëse Britania e Madhe do të marrë pjesë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian mund të bëhet një shtyrje tjetër. Nëse jo, atëherë vjen Brexiti i parregullt. Sipas presidentit të Këshillit të BE-së, Donald Tusk, May e ka pranuar këtë ofertë të dyfishtë.

Pak gjasa

Në Evropë askujt nuk i intereson një Brexit i ashpër (i menjëhershëm). Por shanset që parlamenti ta miratojë kontratën, pasi e hodhi poshtë dy herë, janë shumë të vogla. E mundshme është që May, në rast refuzimi për herë të tretë, të japë dorëheqjen. Sesi do të ndodhë më vonë kjo do të varet nga pasardhësi ose pasardhësja e saj. Një kandidat është Boris Johnsoni, i cili është i gatshëm të bëhet kryeministër në rast se largohet May. E ky është për një Brexit të ashpër e pa rregulla.

Rrugëdalje nga kriza ofron edhe një referendum i ri. Por May dhe shumë politikanë të tjerë janë të mendimit se populli ka vendosur për të në vitin 2016.
Një variant tjetër është që qeveria britanike ta tërheqë kërkesën për dalje. Dhe kështu Britania e Madhe do të mbetej brenda BE-së. Mbi dy milionë britanikë e kanë kërkuar këtë me një peticion, përcjell "Zeri".

Në fund të konsultave në Bruksel kancelarja Angela Merkel foli për një “mbrëmje shumë intensive, por të suksesshme”. Ajo tha se takimi zgjati me orë të tëra për shkak të “seriozitetit të gjendjes”. Ishte një diskutim shumë i sinqertë dhe i rëndësishëm dhe ne jemi të përgatitur për çdo skenar”, tha Merkel.
Ndërkohë qeveritë e tjera janë përgatitur për më të keqen. Britania e Madhe ka ngritur madje në lagjen qeveritare të Londrës në një bunker të sigurt nga bomba atomike një qendër për ndërhyrje të posaçme të ushtrisë.

Brexiti do t’i kushtonte shtrenjtë Gjermanisë

Gjermania do të vuante nga pasojat e një Brexiti të pakontrolluar. Prodhimi i brendshëm bruto për banor në Gjermani do të ulej me 115 euro në vit. Vetëm Britania e Madhe do të kishte humbje më të mëdha, konfirmon një studim i fondacionit “Bertelsmann”. Arsyet për këtë lidhen me afrinë gjeografike dhe lidhjet e shumta të ekonomisë gjermane të orientuar nga eksporti.

Gjermania do të humbiste 10 miliardë euro të ardhura në vit, një vlerë që i përgjigjet 0,3% të prodhimit të brendshëm bruto, thotë bashkautori i studimit, Dominic Ponattu. Vetëm Britania e Madhe do të prekej më rëndë, 57 miliardë euro në vit do të humbitnin britanikët në një rast të një Brexiti të parregullt, 900 euro për banorë. Londra dhe rajonet më afër kontinentit mund të pësojnë rënie të ndjeshme të të ardhurave, paralajmëron studimi.

Por edhe Franca dhe Italia do të prekeshin nga një Brexit i menjëhershëm me nga respektivisht 8 e 4 miliardë euro. Po ashtu edhe Irlanda fqinje do të kishte humbje të forta, sipas përllogaritjeve të studimit rreth 720 euro për banor.

Humbjet janë rrjedhojë e një sërë faktorësh: Nga njëra anë, mallrat dhe shërbimet në tregun e brendshëm do të shtrenjtoheshin menjëherë në rast të një Brexiti të ashpër. Nga ana tjetër, një tregti më e vogël me Britaninë e Madhe sërish do të rezultonte në rritje çmimesh, sepse në shumë degë evropiane do të dobësohej konkurrenca tregtare. Edhe impulset për investime të reja dhe risi do të dobësoheshin e nga kjo do të vuanin në fund vetë kompanitë - me pasojë mosrritjen e rrogave. Në rast të një Brexiti të organizuar dëmet do të ishin më të kufizuara, sipas studimit të fondacionit “Bertelsmann” ato do të përgjysmoheshin në 5 miliardë euro, transmeton "Zeri".

Por ka edhe disa vende jashtë Evropës që do të përfitonin nga Brexiti. Këtu bëjnë pjesë veçanërisht SHBA-ja dhe Kina, në një masë më të vogël edhe Rusia. Kjo lidhet me atë që Brexiti do të kishte pasoja negative në zinxhirin e prodhimit të vlerës në Evropë. “Tregtia brenda Evropës do të bëhej më e shtrenjtë, kurse lidhjet ekonomike me pjesën tjetër të botës më atraktive”, shpjegon Ponattu.

Sipas kreut të fondacionit “Bertelsmann”, Aart de Geus, Londra dhe Brukseli duhen që patjetër të rregullojnë me marrëveshje daljen e britanikëve nga BE-ja. Bazamenti i hapësirës ekonomike më të madhe në botë rrezikon të dëmtohet rëndë, tha ai.

Të dy ekonomistët, Dominic Ponattu nga fondacioni “Bertelsmann” dhe Giordano Mion nga “University of Sussex”, kishin bërë llogaritjet për studimin britanik për vlerësimin e ndikimit të Brexitit në vendet evropiane - “Estimating the impact of Brexit on European countries and regions” – duke u bazuar në të dhënat zyrtare për lëvizjet e aktivitetet tregtare të EUROSTAT-it dhe OKB-së. /DW