Serbia paralajmëron projekte të reja të prodhimit të rrymës nga qymyri

Serbia paralajmëron projekte të reja të prodhimit të rrymës nga qymyri

Bota March 22, 2019 - 13:51
Lexoni detajet!

Vetëm pak kohë pasi paralajmëroi përfundimin e një termocentrali të ri nga qymyri, Elektroprivreda Srbije (EPS), kompania shtetërore e distribuimit të energjisë elektrike në Serbi, ka njoftuar mbi fillimin e procedurave të tenderimit për rindërtimin e njësive A1 dhe A2 të termocentralit Nikola Tesla, tha të Enjtën e kaluar drejtori menaxhues i kësaj kompanije, Milorad Grcic.

Dy njësitë e reja të termocentralit Nikola Tesla, janë pjesë e gjigantit prodhues të energjisë elektrike nga qymyri në Serbi, që përfshinë edhe njësitë Nikola Tesla B, termocentralin Morava dhe atë Kolubara.

Pak kohë më parë, Serbia kishte paralajmëruar edhe përfundimin e ndërtimit të termocentralit të ri Kostolac B3 me kapacitet të përgjithshëm prej 450 megavatësh. Termocentrali Kostolac B3, ndërtimi i të cilit kishte filluar kohë më parë me financim nga fonde shtetërore të Kinës, pritet të fillojë prodhimin e energjisë elektrike në fund të vitit 2020.

Përveç termocentralit në Kostolac dhe atij të Nikolla Teslla, ashtu siç është shprehur në strategjinë e saj energjetike, Serbia synon ndërtimin e kapaciteteve të reja të bazuara në linjit dhe qymyr me kapacitet të përgjithshëm prej 2500 megavatësh, raporton Bankwatch.

Mediat kanë paralajmëruar se Serbia synon pozitën e liderit energjetik në rajon. Përvec termocentraleve nga qymyri, me ndihmën e Gazprom të Rusisë, Serbia ka filluar ndërtimin e termocentralit të bazuar në gaz natyror në Panqevë të Serbisë me kapacitet të përgjithshëm prej 200 megavatësh.

Përvec projekteve të qymyrit, sipas Zëvendës Kryeministrit të Bullgarisë Donchev, Serbia bashkë me Maqedoninë Veriore, kanë shprehur interesim për pjesëmarrje edhe në projektin e centralit nuklear në Bullgari, raporton SeeNews./Metro

Image