Fushata e Zonjës së Parë kundër bullizmit dhe Presidenti

Fushata e Zonjës së Parë kundër bullizmit dhe Presidenti

Bota March 19, 2019 - 20:23

Zonja e Parë Melania Trump mblodhi në Shtëpinë e Bardhë një grup pune me përfaqësues të agjencive të ndryshme qeveritare që drejtojnë programe rinore për të adresuar çështje që ajo trajton në fushatën e saj “Be best”, “Të jesh më mirë”.

Kjo fushatë ka si qëllim garantimin e mirëqenies së fëmijëve, përfshirë luftën kundër bullizimit në internet. Zakonisht iniciativat e Zonjave të Para ndihmojnë në reklamimin e qëllimeve të administratës, por kritikët theksojnë se përpjekja e zonjës Trump është dëmtuar nga sjellja e presidentit në median sociale.

Melania Trump ka si objekt të fushatës së saj bullzimin në internet dhe probleme të tjera me të cilat përballen fëmijët sot.

“Në epiqendër të vëmendjes sime kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë fëmijët tanë, brezi i ardhshëm. Ata janë mjekët, infermierët, zjarrfikësit, shkencëtarët, mësuesit, kuzhinierët, gjeneralët, pilotët, projektuesit, gazetarët dhe misionarët tanë të së ardhmes…”, u shpreh Zonja e Parë

Të hënën në Shtëpinë e Bardhë, Zonja e Parë mblodhi një grup pune të agjencive që punojnë me çështjet që ndikojnë të rinjtë. Grupi është krijuar gjatë administratës së Presidentit Xhorxh W. Bush dhe përfshin zyrtarë të qeverisë e jo vetëm, puna e të cilëve ka ndikim tek fëmijët.

Melania Trump shpreson të përdorë grupin për të forcuar fushatën e saj “Be Best” “Të jesh më mirë”, të cilën ajo e shpalli në muaj maj të vitit të kaluar me qëllimin për të mbështetur mirëqenien e fëmijëve dhe për të luftuar abuzimin me opioidet dhe bullizmin në internet.

“Nisma e saj është e mirë dhe me përmbajtje të mençur. Vetëm se ka një ndikim disi të pakëndshëm kundër presidentit, bashkëshortit të saj”, thotë Elaine Kamarck, Instituti Brookings.

Zakonisht iniciativat e Zonjave të Para ndihmojnë në reklamimin e qëllimeve të administratës, por kritikët theksojnë se përpjekja e Melania Trump-it është dëmtuar nga sjellja luftarake e presidentit në median sociale.

Të hënën Presidenti Trump postoi një koment rreth ish-nënpresidentit Joe Biden, një kundërshtar potencial i tij në zgjedhjet 2020-s, duke e quajtur atë një “person me koefiçent të ulët të inteligjencës”.

“Vetë Presidenti është një nga njerëzit më bullistë në botë. Ai krenohet me këtë gjë. Ajo që ai di të bëjë është të sulmojë”, thotë Elaine Kamarck, Instituti Brookings.

Zoti Trump sulmoi gjithashtu ato që i quan “media e lajmeve të rreme” të cilat e fajësuan atë për sulmin në dy xhami në Zelandën e Re. I dyshuari për ngjarjen është një mbështetës i ideve të supremacistëve të bardhë dhe në manifestin e tij përmendte presidentin Trump.

“Udhëheqësit tanë kanë një përgjegjësi të madhe për të denoncuar llojin e urrejtjes që ne shohim gjithnjë e më shumë në shoqëri, me shembuj ekstremë sikurse vrasjet masive, por qoftë dhe vetëm në retorikën e përditshme politike. Mendoj se është papërgjegjshmëri të mos i vendosësh emrin që ka kësaj lloj urrejtjeje dhe t’i japësh një zgjidhje”, thotë Jonathan Metzl, Universiteti Vanderbilt.

Por pavarësisht kritikave Melania Trump-i vazhdon me fushatës e saj.

“Ka gjithmonë një mundësi për të bërë më shumë dhe takimi i sotëm është një fillim”, tha Melania Trump, Zonja e Parë

Zyra e Zonjës së Parë thotë se fushata e saj “Ji mirë” do t’u japë zë burimeve qeveritare që janë në dispozicion të të rinjve dhe familjeve të tyre./VOA