Shkon në 49 numri i viktimave në Zelandë të re

Shkon në 49 numri i viktimave në Zelandë të re

Bota March 15, 2019 - 09:35
Lajmet e fundit nga vendi dhe bota!

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka thënë se 49 persona kanë vdekur dhe 20 të tjerë janë plagosur rëndë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në dy xhami në qytetin, Kristçërç.

Ajo e ka përshkruar këtë ngjarje si sulm terrorist dhe një nga “ditët më të rënda” për këtë vend.

LEXO EDHE: Emrat e carëve serbë në armët e sulmuesit në xhaminë në Zelandën e Re?

Ajo ka thënë se katër persona tani janë në mbajtje, të cilët dyshohet se kanë pikëpamje ekstremiste.

Komisionari policor, Mike Bush, mirëpo ka paralajmëruar se të dyshuarit e tjerë mund të jenë në arrati.

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, ka thënë se një nga të arrestuarit është qytetar australian.

Ai e ka përshkruar të dyshuarin e sulmit si “terrorist të dhunshëm të ekstremit të djathtë”.

I dyshuari australian besohet të ketë publikuar një manifest, në të cilin ka bërë të ditura qëllimet e tij, të bazuara në ideologji anti-imigrante dhe të ekstremit të djathtë.

Ai po ashtu duket se ka publikuar disa video në rrjetin social, Facebook, derisa ka kryer sulmin në xhami.

Policia i ka bërë thirrje publikut që të mos shpërndarjë këto pamje “jashtëzakonisht shqetësuese”.

Rrjeti social, Facebook ka thënë se ka bllokuar llogaritë e sulmuesit në dyshuar në Facebook dhe Instagram dhe se është duke punuar që të largojë të gjitha pamjet që kanë rrjedhur nga ai postim.

Dëshmitarët u kanë thënë mediave lokale se kanë vrapuar kur kanë parë njerëz që janë përgjakur jashtë xhamisë, Al Noor.

Një burrë ka thënë të ketë qenë në xhaminë Al Noor dhe ka përshkruar sulmuesin si njeri të bardhë, që ka pasur të veshur një jelek antiplumb.

Ai ka thënë se ky person ka nisur sulmin në xhami, derisa besimtarët kanë qenë duke u lutur.

“Ai ka pasur armë të madhe, ai ka ardhur, ka nisur sulmin ndaj secilit në xhami, gjithandej”, ka thënë Ahmad Al-Mahmoud. Ai ka thënë se bashkë me shumë persona të tjerë kanë ikur përmes një xhami të thyer.

Një xhami e dytë në lagjen Lajnvud, është evakuuar derisa komisionari Bush ka thënë se dhjetëra viktima janë raportuar në të dyja vendet.

Autoritetet kanë këshilluar për mbylljen e të gjitha xhamive deri në njoftimin e radhës, duke thënë se ngjarja e së premtes ka qenë e pashembullt. /Rel