Ushtria evropiane, ende larg realitetit

Bota February 22, 2019 - 08:25

Në një konferencë të nivelit të lartë të sigurisë në fundjavën e kaluar në Mynih, mosmarrëveshja midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës u shfaq hapur, duke bërë që shumë zyrtarë evropianë të ndihen gjithnjë e më vetëm në fatin e tyre, transmeton Gazeta Zeri.

Në një bazë të vjetër të Luftës së Ftohtë në Lohheide të Gjermanisë ushtarët gjermanë dhe holandezë shërbejnë bashkë në një batalion tankesh. Ata qëndrojnë në gatishmëri çdo mëngjes dhe bërtitnin me zë të lartë thirrjen e tyre të betejë, në të dyja gjuhët. “Ne luftojmë për Gjermaninë!” - tha komandanti i tyre. Batalioni u përgjigj në njëzëshmëri. “Ne luftojmë për Holandën”- bërtiti komandanti. Ushtarët e tij reaguan sërish në njëzëshmëri. Ata nuk po bërtasin “për Evropën”. Ende jo.

Por batalioni – i pari në Evropë, i përbërë nga ushtarë të të dyja vendeve – është një hap i rëndësishëm fillestar, drejt një bashkëpunimi më të thellë ushtarak evropian. Pas Luftës së Dytë Botërore ideja e një ushtrie evropiane është aq e vjetër sa vetë Bashkimi Evropian, por ende nuk është bërë realitet. Por tani kjo ide është rikthyer në plan të parë, për shkak të kërcënimit të administratës së presidentit amerikan Trump për të mos garantuar më sigurinë e kontinentit, në rast se Evropa nuk shpenzon më shumë për mbrojtjen e saj.

Në një konferencë të nivelit të lartë të sigurisë në fundjavën e kaluar në Mynih, mosmarrëveshja midis Shteteve të Bashkuara dhe të Evropës u shfaq hapur, duke bërë që shumë zyrtarë evropianë të ndihen gjithnjë e më vetëm në fatin e tyre. “Të gjithë janë duke folur për një ushtri evropiane. Ne jemi pionierët e saj”- thotë komandanti gjerman i batalionit, nënkoloneli Marko Niemajer. Por nëse disa liderë të fuqishëm evropianë po flasin më një zë për një ushtri evropiane, situata politike është delikate.

Partitë populiste në kontinent po zgjerohen mes një nacionalizmi në rritje, që kërcënon kohezionin evropian dhe që ka bërë që perspektiva e dorëzimit të sovranitetit mbi një çështje të ndjeshme sikurse është siguria kombëtare, të jetë edhe më e vështirë.

Mbi të gjitha, sfidat praktike për një bashkëpunim më të besueshëm evropian të mbrojtjes janë të mëdha. Analistët bien dakord se Gjermania, vendi më i madh dhe më i pasur i Evropës, duhet të bëjë më shumë, duke përfshirë tejkalimin e ngurrimit të saj pas Luftës së Dytë Botërore, për të udhëhequr në çështjet strategjike.

Ushtria gjermane tashmë ka shumë pak ushtarë, shumë pak pajisje dhe përballet me mungesa të shumta në të gjithë sektorët. Duke pasur parasysh këtë Batalioni i Tankeve 414, është bërë një test joformal për atë që duhet të bëhet për të arritur efikasitet më të madh dhe bashkëpunim më të gjerë. “Ne tashmë punojmë shumë më ngushtë së bashku sesa e kishin parashikuar politikanët”- thotë Niemajer. “Nuk po mendojmë më në terma kombëtare. Vlerat që po mbrojmë janë evropiane. Kufiri që mbrojmë nuk është midis Holandës dhe Gjermanisë. Është kufiri lindor i NATO-s”- shprehet ai.

Por a do të vdiste ai për Evropën? “Po” - thotë koloneli. Por kontrasti midis idealizmit së shfaqur në këtë bazë dhe mungesës së udhëheqjes politike mbetet i habitshëm, thonë analistët dhe ekspertët e mbrojtjes – veçanërisht në Berlin.

“Ekziston një hendek i madh midis nivelit taktiko-ushtarak dhe atij politik” - thotë Jan Teshau, drejtor i Programit të Evropës në Fondin Gjerman Marshall në Berlin. “Jeta jonë në 70 vjetët e fundit është garantuar nga SHBA-ja. Kjo është arsyeja pse ne nuk jemi si Ukraina, një sferë e ndikimit rus”.

“Ne duam të jetojmë në liri”- thotë Techau. “Por a jemi të përgatitur të paguajmë për të?”. Në fund të Luftës së Ftohtë Gjermania kishte 500.000 ushtarë, më shumë se 3.000 tanke dhe shpenzonte 2,4 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.

Sot ajo ka 182.000 ushtarë, 325 tanke dhe shpenzon vetëm 1,3 për qind të PBB-së për mbrojtjen. Pavarësisht angazhimi zyrtar, për të punuar drejt rritjes së shpenzimeve në nivelin 2 për qind të PBB-së deri në vitin 2024, Gjermania e ka ulur objektivin në 1,5 për qind.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, pranoi në një intervistë se 25 vjetët e zvogëlimit të ushtrisë pas rënies së Murit të Berlinit kanë pasur pasojat e veta. Por ajo këmbëngul se shpenzimet ushtarake janë rritur gjatë 5 vjetëve të fundit, me 36 për qind.

Gjermania, është kontribuuesja e dytë më e madh i NATO-s për fonde dhe trupa. Por kritikët thonë se kjo nuk është e mjaftueshme. “Në të gjitha fushat mungojnë materialet” - shkruan Hans-Peter Bartels, komisionar i parlamentit gjerman për forcat e armatosura, në një raport të publikuar këtë muaj. Bartels beson se në këto kushte krijimi i një ushtrie evropiane do të kërkojë një gjeneratë, pra gati 25 vjet./ NYT/Zëri.