Moskë, diplomatët amerikanë nuk lejohen të kontaktojnë biznesmenin e ndaluar

Moskë, diplomatët amerikanë nuk lejohen të kontaktojnë biznesmenin e ndaluar

Bota shkurt 21, 2019 - 22:15
Lajmet e fundit nga bota!

Ambasada amerikane në Moskë konfirmoi të enjten se diplomatëve të saj nuk iu është dhënë mundësia për takuar të shtetasin amerikan Michael Calvey, themeluesi i fondit të investimeve “Baring Vostok”, të arrestuar një javë më parë në kryeqytetin rus.

Vetëm disa orë përpara njoftimit të ambasadës, prokurorët rusë ngritën zyrtarisht akuza ndaj tij.

Ambasada amerikane u shpreh nëpërmjet një deklarate se kishte kërkuar shumë herë që të takonte investitorin amerikan, por nuk i është dhënë leje, gjë për të cilën tha se është një përçmim i hapur i rregullave konsullore mes dy vendeve.

“Këmbëngulim të na mundësohet qasja, tani”, thuhet në deklaratë.

Të mërkurën, kreu i një organizate tregtare amerikano-ruse i tha “Zërit të Amerikës” se zoti Calvey, i cili prej gjashtë ditë mbahet në një qendër paraburgimi në Moskë, kishte takuar avokatët e tij, por jo zyrtarët e konsullatës amerikane.

Sipas rregullave që parashikon Konventa e Vjenës, qasja konsullore duhet të sigurohet brenda një afati prej 72 orësh nga koha e arrestimit, që do të thotë se një anëtar i qeverisë amerikane duhet ta kishte vizituar Michael Calvey-in deri tani.

Michael Calvey është amerikan i dytë që përballet me ndjekjen penale në Rusi që nga fundi i muajit dhjetorit, kur Paul Whelan, një ish-marins amerikan u burgos iakuzuar për spiunazh. Rusia njoftoi arrestimin e zotit Whelan më 31 dhjetor, rreth 24 orë pas arrestimit të tij.

Familja e zoti Whelan kritikoi ashpër mënyrën sesi autoritetet ruse e trajtuan njoftimin, duke vënë në dukje se zyrtarët e sigurisë njoftuan rreth arrestimit të tij në fillim të vitit të ri, kohë e cila në Rusi shënon fillimin e festimeve kombëtare një javore. Vonesa e njoftimit, thanë ata, uli në mënyrë drastike shanset e Paul Whelan-it për t’u takuar me burimet ligjore e konsullore brenda afatit të parashikuar prej 72 orësh.

Michael Calvey akuzohet për mashtrim pas një beteje ligjore me bankën ruse “Orient Express”.

Ngjarja shkaktoi një “tronditje” të thellë tek komuniteti i biznesit të huaj në Rusi pasi autoritetet arrestuan investitorin e njohur amerikan. Arrestimi dhe paraburgimi minimal dy mujor i njoftuar kohët e fundit e ka vendosur komunitetin e biznesit në pasiguri, gjë që mund të përshpejtojë largimin e kapitalit të huaj nga Rusia.